Maqedoni
Marrëveshja EMV-Ngrohtorja “Shkup veri”, sigurohet ngrohje për banorët e Çairit dhe Butelit
01.12.2022 15:57
Qytetarët e Çairit dhe Butelit këtë mëngjes u zgjuan me radiatorë të nxehtë....

Qytetarët e Çairit dhe Butelit këtë mëngjes u zgjuan me radiatorë të nxehtë. Problemi me ngrohjen u tejkalua pas marrëveshjes së nënshkruar mes ngrohtoren “Shkup veri” dhe EMV-së, marrëveshje për bashkëpunim teknik. Drejtori i ngrohtores “Shkup-Veri”, Kushtrim Ramadani, theksoi se në bazë të kësaj marrëveshje, ngrohtores i është mundësuar të prokurojë gaz për funksionim normal. Për dhjetorin është paguar furnizimi me gaz, kurse Ramadani siguroi se ngrohje do të ketë deri në fund të sezonit të ngrohjes.
“Në bazë të kontratës që e kemi, janë të obliguar që të ndahen mjetet edhe për ne, për blerjen e gazit, për dhjetor e kemi paguar paraprakisht në bazë të kontratës që e kemi me “Prom-gazin”, furnizuesin tonë të gazit, kështu që jam i bindur që edhe më tej do të shkojë puna pa asnjë problem. Në kontratën për bashkëpunimin tekniko-afarist qëndron edhe ajo se duhet të na japin mjete, por ne edhe vazhdimisht fakturojmë, në këtë rast i kisha lutur të gjithë qytetarët të cilët kanë borxhe ndaj ngrohtores “Shkup veri”, t’i paguajnë sa më shpejtë.”,- deklaroi drejtori i Ngrohtores “Shkup veri”, Kushtrim Ramadani.
Drejtori Ramadani sqaroi se problemi ka filluar në momentin kur inspektorët e mjedisit jetësor ia kanë ndaluar kësaj ndërmarrje përdorimin e mazutit edhe pse kanë leje të integruar B ekologjike për përdorim të mazutit. Madje, Ramadani theksoi se shteti në këtë rast ka vepruar me standarde të dyfishta. Sipas tij, është paradoksale që mazuti të përdoret në masë të madhe për prodhimin e energjisë elektrike, e ngrohtores “Shkup veri” t’i ndalohet për prodhimin e energjisë termike me arsyetimin e ndotjes së ambientit.
“Në vitin 2021 në Maqedoninë e Veriut janë djegur 150 mijë ton mazut, në vitin 2022 deri më tani janë djegur mbi 150 mijë ton mazut, e ne për këto ditë që do të kishim djegur 10-15 ton mazut, u ngrit i gjithë shteti në këmbë për ta ndaluar.”,- u shpreh drejtori i Ngrohtores “Shkup veri”, Kushtrim Ramadani.
Si pasojë e jofunksionimit të ngrohtores “Shkup veri”, qytetarët e komunës së Butelit, shkollat dhe institucionet tjera të cilat gravitojnë në territorin e këtyre dy komunave, mbeten pa ngrohje për gati një javë.
ERSAN PAJAZITI
