Këshilli Ministror i OSBE-së, Osmani: T’ia kthejmë OSBE-së rolin e sigurisë
Sfidat e sotme të sigurisë, procesi i stabilitetit...

Sfidat e sotme të sigurisë, procesi i stabilitetit, rikthimi i paqes dhe qëndrueshmërisë, kanë qenë temat kryesore në seancën e Këshillit Ministror të OSBE-së në Logj të Polonisë. Në fjalimin e tij para përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse, ministri Bujar Osmani është fokusuar në situatat me të cilat po përballet OSBE-ja, në shkeljen e parimeve për bashkëpunim me siguri.
Ndërkaq, sipas Osmanit, kjo tendencë arriti kulmin me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Ka potencuar platformën e dialogut si mjet për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve.
“OSBE po kalon nëpër krizë, e sfiduar nga mungesa e respektimit të parimeve tona të miratuara për invazionin rus në Ukrainë. OSBE duhet patjetër ta kthejë rolin e rojtarit të sigurisë së Evropës dhe platformën e zgjidhjes së kontesteve përmes dialogut.”,- deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani i është referuar edhe vizionit të kryesimit tonë të ardhshëm me OSBE-në në vitin 2023.
“Kryesimi i OSBE-së nga ana e Maqedonisë së Veriut do të bazohet në tri çështje: Përforcimin e pranisë sonë në terren, që është kritike, ripërtëritjen e dialogut me bashkësitë dhe qytetarët nën principet e OSBE-së si dhe kthimin e besimit si investim në paqe.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Ndërkohë, në margjina të këshillit ministror, Osmani ka realizuar takime dypalëshe me zyrtarë të ndryshëm, përfshi edhe me ministrin e jashtëm të Ukrainës, Dmitro Kuleba.
Njehërit, Osmani ka shprehur gatishmërinë që vitin e ardhshëm t'i vë në funksion të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat e OSBE-së, me qëllim që t’i ndihmojë popullatës së prekur në Ukrainë në ballafaqimin me sfidat që dalin nga kriza energjetike dhe ushqimore. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
