Maqedoni

Rikthehen protestat, transportuesit privatë nesër do të bllokojnë Shkupin

01.12.2022 16:46

Shoferët privatë nga kompanitë “Sloboda Prevoz” dhe “Makekspres” paralajmëruan se mëngjesin e së premtes...

Shoferët privatë nga kompanitë “Sloboda Prevoz” dhe “Makekspres” paralajmëruan se mëngjesin e së premtes do të vazhdojnë protestat me bllokim të rrugëve. Rreth 200 autobusë që prej orës gjashtë do të parkohen para kuvendit të qytetit, njoftoi kryetari i “Slloboda Prevoz”, Lenin Jovanovski. Ai theksoi se do të bllokohen udhëkryqet me të frekuentuara të Qytetit të Shkupit. Pika e protestës do të jetë korsia e djathtë në rrugën “Ilindenska”, nga Qeveria e deri te “Mi-Da”. 
 
“Transportuesit privatë përmes trupit koordinues, më njoftuan se nesër në orën 6:00 të mëngjesit do të bllokojnë rrugët. Menaxhimi i keq dhe puna joefikase është arsyeja e eskalimit të situatës. Ju thoni që keni pasur edhe borxhe për disa muaj dhe pyesni pse nuk keni reaguar. Po, nuk kemi reaguar sepse borxhet janë shlyer, herë kanë qenë më të mëdha, herë kanë qenë më të vogla, megjithatë pagesa e vazhdueshme nuk u ndal kurrë dhe borxhi është rritur siç është tani. Tani, gjithçka varet nga zhvillimi i ngjarjeve, por nëse protestat do të vazhdojnë të hënën, atëherë do të bllokojmë udhëkryqin tek “Mavrovasja”, udhëkryqin tek Kryqi i Kuq dhe rruga “Ilindenska””,- tha Lenin Jovanovski nga “Slloboda Prevoz”.
 
Operatorët e linjës së transportit kërkojnë plotësimin e kushteve nga ana e Kompanisë së Transportit Publik të Shkupit, e cila nuk i ka paguar transportuesit privatë prej disa muajsh. Borxhi është afro 980 mijë euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor që pronarët e linjave private nuk kanë marrë nga operatori publik. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, i akuzoi transportuesit privatë se i kanë ngarkuar biletat që nga viti 2017 dhe nuk i raportojnë paratë e biletave të shitura dhe çdo muaj i faturojnë 400.000 euro nga Kompania e Transportit Publik. 

FARIJE DAUTI BAKIJU