Kosovë, Jabllanoviç drejt shkarkimit

28.01.2015 15:47

Ministri për Kthim dhe Komunitete i Republikës së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, do të shkarkohet nga pozita brenda kësaj jave...

Burime brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se ministri për Komunitete dhe Kthim, Jabllanoviç, do të largohet nga ekzekutivi kosovar pasi të qetësohet gjendja e krijuar nga protestat e organizuara. Mësohet se qeveria do ta ndërmarrë këtë veprim me arsyetimin se deklaratat e tij kanë dëmtuar marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe komunitetit serb në Kosovë, për të cilat është investuar aq shumë që prej përfundimit të luftës në Kosovë. “Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i penguan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura nuk do t'i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi”. Ishte kjo deklarata e 6 janarit e Jabllanoviçit që solli edhe reagimin e fortë më pas.

Një zyrtar i lartë në Qeverinë e Kosovës ka bërë të ditur me kusht anonimiteti se për largimin e Jabllanoviqit nga qeveria është diskutuar edhe në takimet e kryeministrit, Isa Mustafa, me ambasadorët e vendeve anëtare të Quint-it dhe tanimë edhe ndërkombëtarët janë pajtuar që ai duhet larguar nga qeveria.

Dy partitë e mëdha të koalicionit, PDK–LDK, po punojnë që pas largimit të Jabllanoviç, “Lista Serbe” të mbetet brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, me qellim që të vazhdohet me integrimin e serbëve, sidomos të atyre që jetojnë në veri të vendit.