Botë

Steinmeier: Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë

01.12.2022 18:24

Nga foltorja e Parlamentit shqiptar, presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier...

Nga foltorja e Parlamentit shqiptar, presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier, i bëri thirrje opozitës dhe qeverisë të punojnë së bashku për destinacionin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian.
 
“E di që rruga e Shqipërisë në BE do të vijojë të jetë ambicioze. Punoni më tej në luftën ndaj pengesave, zmbrapsjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në drejtësi. Ju dëshironi një të ardhme të mirë për Shqipërinë dhe vendi juaj do të jetë vend i besueshëm.”,- tha presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier.
 
Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidentët Begaj dhe Steinmeier njoftuan se vitin tjetër Procesi i Berlinit do të mbahet në Tiranë.
 
“Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe firmosja e marrëveshjeve para 1 muaji për lëvizshmërinë, krijon premisa për marrëveshje të reja në të ardhmen. Vitin tjetër, Samiti i Procesit të Berlinit zhvillohet në Tiranë. Kjo tregon se qeveria shqiptare është e angazhuar në këtë proces.”,- theksoi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
“Kam respektin maksimal të angazhimit si anëtare e Këshillit të Sigurimit, brenda OKB-së, në një periudhë jo të lehtë. Gjermania e ka shoqëruar Shqipërinë prej fillimit në përafrimin me BE-në dhe ka kontribuar brenda mundësive të saj në përforcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e tyre. Shpresoj që shumë shpejt Shqipëria të bëhet edhe pjesë e BE-së edhe në dimensionin formal të tij”,- u shpreh presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier.
 
I pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, Begaj tha se është i mirëpritur propozimi franko-gjerman apo i Brukselit.
 
“Çdo përpjekje për dialog dhe gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë është i mirëpranuar nga ana jonë”. “Ne kemi  qenë gjithmonë për këtë dialog.”,- tha presidenti i Shqipërisë, Bajram Bega.
 
Kjo është vizita e parë e një presidenti gjerman në Shqipëri në 27 vite, që dha një sinjal të fortë të mbështetjes nga ana e Gjermanisë.
 
LULJETA NDOKA