Maqedoni
70 vjet “Ju flet Radio Shkupi”
28.01.2015 16:23
“Radio Shkupi”, tanimë 70 vite me radhë emeton fjalën dhe këngën shqipe në eterin e Maqedonisë. Duke qenë medium i parë në gjuhën shqipe në vend, “Radio Shkupi”...

“Radio Shkupi”, tanimë 70 vite me radhë emeton fjalën dhe këngën shqipe në eterin e Maqedonisë. Duke qenë medium i parë në gjuhën shqipe në vend, “Radio Shkupi”, me emisionet dhe programin e larmishëm, gjithmonë ka qenë në shërbim të informimit, por edhe të vënies në pah të të gjitha aktiviteteve kulturore, arsimore, sportive, sociale, ekonomike dhe politike brenda dhe jashtë vendit, e sidomos e të gjithë asaj që është me interes për shqiptarët.
Në periudha të ndryshme, “Radio Shkupi” ka pasur edhe nivele të ndryshme të funksionimit, duke arritur sot të funksionojë sipas standardeve moderne, programore dhe teknologjike, si dhe duke e shtrirë dëgjueshmërinë brenda dhe jashtë Maqedonisë.
“Shtatëdhjetë vjetori i radios në gjuhën shqipe është një shënim për respekt. Kemi pasur sfida të ndryshme në të kaluarën, mund të themi se sfida është permanente sa u takon mediumeve. Por, në këtë kohë funksionimi i radios është më i lehtësuar, megjithëse ekziston nevoja e një kontabiliteti sa i përket produksionit dhe gazetarëve”- deklaroi këshilltari i drejtorit ekzekutiv në RTVM, Zahir Bekteshi.
Gazetarët e “Radio Shkupit” tërhiqen nga parimi “ne ekzistojmë për dëgjuesit” dhe vetëm kështu ata kanë arritur t’i tejkalojnë të gjitha sfidat, megjithëse shumë herë kanë qenë tepër të vështira.
“Me sistematizimin e ri kemi bërë bazën për funksionimin e këtij programi. Funksionojmë me tre njësi programore, me 16 redaksi, me sektorin e gjuhëve dhe sektorin e producentëve. Me të vërtetë jam i kënaqur sepse ka pasur edhe punësime, prandaj jam i privilegjuar që udhëheqi një medium siç është “Radio Shkupi””- tha kryeredaktori i “Radio Shkupit”, Haki Mustafa.
Digjitalizimi i programit të “Radio Shkupit” ka mundësuar krijimin e një arkivi të pasur qoftë të emisioneve, që janë realizuar nga gazetarët, apo edhe të pjesës muzikore.
GYLTENE SINANI
