Alarme të rreme për bombë në shkolla, Spasovski: Ka persona të dyshuar për denoncimet
Në tetë shkolla të mesme të Shkupit...

Në tetë shkolla të mesme të Shkupit ditën e djeshme sërish ka pasur paraqitje për vendosje të bombave.
Paraqitjet janë dërguar në adresat e e-mailit të shkollave “Rade Jovçevski-Korçagin”, “Orce Nikollov”, “Josip Bros Tito”, “Pançe Arsovski”, “Nikolla Karev”, “Vllado Tasevski”. “Mihajllo Pupin” dhe “Cvetan Dimov”.
Poashtu për herë të parë rreth orës 15:00 në formë elektronike është njoftuar për bombë në shkolën fillore “Petar Pop Arsov” në Karposh.
Nga MPB thonë se pas marrjes së informatës, janë ndërmarrë të gjitha masat për evakuimin e nxënësve dhe personelit të shkollave.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka deklaruar se bëhet fjalë për raporte të rreme, por ekziston protokoll që duhet respektuar, për sa i përket evakuimit dhe kontrollit të plotë.
Ai sqaroi se thuajse të gjitha mesazhet e dërguara janë të njëjta, identike.
Hetimi është kah përfundimi shton ministri Spasovski, ku priten konfirmime të disa fakteve të cilat janë detaje të rëndësishme.
Tashmë kemi persona të dyshuar dhe menjëherë pas vërtetimit të këtyre fakteve do të punojmë së bashku me Prokurorinë. Ai tha se cilado qoftë arsyeja që sjell një përçarje dhe pasiguri të tillë mes qytetarëve dhe konsumon burime, autorët duhet të dënohen ashpër.
