Kina heq disa kufizime anti Covid pas protestave kombëtare

02.12.2022 12:55

Disa qytete kineze kanë nisur të heqin kufizimet...

Disa qytete kineze kanë nisur të heqin kufizimet për luftim të pandemisë së virusit korona, pas protestave kombëtare, në të cilat është bërë thirrje për liri më të mëdha.

Pas trazirave në rrugë, një numër qytetesh kanë nisur të heqin disa masa, përfshirë testimet ditore.Në disa qytete janë bërë paralajmërime për hapje të restoranteve dhe qendrave tregtare.

Kina ka regjistruar disa vdekje në mungesë trajtimi, për shkak të kufizimeve për koronavirus.Ndër rastet e fundit është edhe ajo e vdekjes së një foshnjeje katërmuajshe, e cila është bllokuar në karantinë me babain.

Kina mbetet ekonomia e vetme e madhe në botë që zbaton politikën e zero rasteve me Covid 19.Ndonëse vendi ka zhvilluar vaksinat e veta kundër koronavirusit, ato nuk janë efektive sikurse vaksinat e krijuara me teknologjinë mRNA – sikurse ato që janë krijuar nga kompanitë perëndimore: Pfizer dhe Moderna.

Rasti i parë me Covid 19, u raportua  për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë më 11 mars të vitit 2020.Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur që atëherë në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.