Ademi: Negociata nëse SASHK-u ndërpret grevën

28.01.2015 16:47

Ministria e Arsimit është e gatshme të vazhdojë negociatat me SASHK-un dhe të bisedojë për të gjitha kërkesat e tyre, por vetëm pasi SASHK-u të ndërpresë grevën...

Ministri  i Arsimit, Abdylaqim Ademi, në një intervistë për Alsat M thotë se MASH-i është i hapur për të biseduar për të gjitha temat për të cilat SASHK-u pretendon se duhet të diskutohen, por në kushte greve nuk mund të ketë bisedime, pasi do të ishte një atmosferë presioni në të cilën edhe nuk mund të bisedohet, thotë ministri Ademi.

Ai shpreson që kryesia dhe këshilli i SASHK-ut të miratojnë vendim për ndërprerjen e grevës dhe me këtë t’i jepet  mundësi dialogut konstruktiv.

Por, SASHK-u nuk e ka ndërmend të ndërpresë grevën. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, në një bisedë telefonike ishte sot tepër decid. Greva nuk do të ndërpritet.

Nedelkov thotë se SASHK-u e ndërpreu njëherë grevën në shtator, por kjo ndërprerje nuk dha asnjë rezultat. Prandaj, SASHK-u është i vendosur kësaj radhe t’i shkojë grevës deri në fund.

Mbrëmë, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë  mori vendim që ministrive dikasteriale t’u dorëzohet edhe një kërkesë për vazhdimin e negociatave. Anëtarët e SASHK-ut, që janë në grevë, janë të gatshëm të vazhdojnë deri sa qeveria të ofrojë zgjidhje që do të jenë të pranueshme për sindikatën. (Flutura Latifi, TVM2)