Mbaron mbledhja e Këshillit ministror të OSBE-së, Osmani: Kohë të vështira, duhet bashkëpunim
OSBE duhet të funksionojë sipas qëllimit të mandatit....

OSBE duhet të funksionojë sipas qëllimit të mandatit, ta ruajë sigurinë në terren, dhe ta shfrytëzojë dialogun si mjet për ndërtimin e vlerave, ka thënë ministri i jashtëm Bujar Osmani, në fjalimin përmbyllës të mbledhjes dyditore të këshillit ministror në Poloni.
Në cilësinë e kryesuesit të ardhshëm me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim, Osmani ka theksuar nevojën për dialog dhe përforcim si dhe bashkimin e përpjekjeve për ndaljen e pushtimit rus në Ukrainë.
“Të gjithë duhet të fokusohemi në ndaljen e konfliktit, rikthimin e paqes dhe krijimin e terrenit të qëndrueshëm për bashkëpunim. Prej nga vimë, jemi shumë të njohur me këto procese. Sidoqoftë dialogu vjen me besim. Më lejoni të jem i qartë. Agresioni rus mbi Ukrainën patjetër të ndalet. Maqedonia e Veriut është e gatshme që ta merr pjesën e saj të përgjegjësisë, duke e pasur privilegjin të jetë kryesuese e kësaj organizate. Në këtë rrugë sukseset dhe dështimet tona do të jenë edhe tuajat. Kohët e sotme të vështira kërkojnë vendosmëri dhe përkushtim. Prandaj, dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për t'i bërë thirrje secilit prej jush të merr përgjegjësi” – u shpreh Ministri i Jashtëm i vendit, Bujar Osmani.
Mbajtjen e Këshillit të ardhshëm ministror të OSBE-së në Shkup, shefi i diplomacisë Osmani e ka vlerësuar si një mundësi të mirë për të biseduar mbi përpjekjet e përbashkëta mes vendeve anëtare, për një jetë më të sigurtë dhe hapat që duhen ndërrmarë, gjithnjë nën parimet e Helsinkit. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
