ISIS, video me mesazh kërcënues për Obamën

28.01.2015 17:04

Videoja e fundit e publikuar prej militantëve të ISIS-it, përpos pamjeve të tmerrit të një ekzekutimi me prerje koke, përcjell edhe një mesazh të egër e tepër të guximshëm, shënjestra e të cilit është vetë presidenti amerikan...

“Ta dish Obama se ne do të vijmë deri në Amerikë”- thotë në arabisht njëri nga luftëtarët e veshur me të zeza e me fytyrën të mbuluar. “Ta dish se do të ta presim kokën në Shtëpinë e Bardhë e Amerikën do ta kthejmë në provincë myslimane”- ka thënë ai.

Paralajmërimet e ekstremistëve nuk kursejnë as vendet e Evropës. “Ky është mesazhi im për Francën dhe motrën e saj, Belgjikën,- vazhdon militanti në video- ne ju themi se do të vijmë te ju me autobomba dhe eksplozivë, e do presim edhe kokat tuaja”. “Sa për ty, Masoud Barzani- vazhdon militanti, duke iu drejtuar liderit kurd të vendosur në krye të luftës kundër “Shtetit Islamik” në Irak- ti qen, do të ta heqim kokën e do ta hedhim në koshin e plehrave të historisë. Ta dini se ne jemi burra që nuk druhemi nga asgjë dhe do t’i vëmë në jetë ligjet e Allahut, qoftë lëvduar!”.

Pamjet shuhen në një ekran të zi, kur thika shkon në fytin e një ushtari të paidentifikuar kurd. Videoja u publikua dy ditë pasi forcat kurde zmbrapsën xhihadistët e ISIS-it nga Kobane, qyteti strategjik sirian në kufi me Turqinë, për kontrollin e të cilit është luftuar prej muajsh.

Në një tjetër mesazh online, “Shteti Islamik” paralajmëroi se pengut japonez dhe pilotit nga Jordania u mbeten vetëm 24 orë jetë. Në këmbim të faljes së tyre kërkohet lirimi i Sajida al-Rishawi, një “motër e kalifatit” siç e quan ISIS-i.

Al-Rishawi ka 9 vjet e burgosur në Jordani për rolin e saj në sulmet vdekjeprurëse mbi hotelet e Amanit, që vranë 57 vetë. Në 2006-n, gruaja u dënua me vdekje, por shpëtoi nga ekzekutimi për shkak se po atë vit Jordania vendosi një moratorium mbi dënimin kapital. (Farije Daitu-Bakiu,TVM2)