Maqedoni
ASH, Taravari dorëzon kandidaturën për kryetar: Nuk ka bisedime për hyrje në qeveri
02.12.2022 17:48
Arben Taravari deponoi në selinë e partisë kandidaturën për t’u përzgjedhur kryetar i ASH-së...

Arben Taravari deponoi në selinë e partisë kandidaturën për t’u përzgjedhur kryetar i ASH-së në kongresin e 17 dhjetorit në Tetovë. Nga ASH pohojnë se Taravari është i vetmi kandidat me mbi 1800 nënshkrime të grumbulluara, por edhe potencial për të qenë në krye të partisë.
Taravari nuk paralajmëron ndryshim të politikave të partisë, duke mohuar mbajtjen e bisedimeve për hyrje në qeveri si dhe të ketë realizuar takim me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti për këtë çështje.
“Kur do të fillojnë negociatat ne do t’iu informojmë nëqoftëse fillojmë, për momentin nuk ka. Un e di se ka spekulime nëpër portale, nëpër media, jemi temë diskutimi dhe kjo është mirë për ASH-në kur bisedohet për ne, por s’ka asgjë konkrete. Un e di se ka edhe shtatë – tetë ministra të cilët janë me emra mbiemra të cilët tregohen si ministra të ardshëm të ASH-së. Ju them me plot përgjegjësi se asgjë s’ka të saktë prej asaj. Ka pasur spekulime se unë jam takuar me Ali Ahmetin. Përveç në takimin e liderëve, nuk jam takuar.”, tha Arben Taravari, u.d kryetar i ASH.
Taravari thotë se nuk heqin dorë nga kërkesa për shlyerjen e 20% -it nga kushtetuta, ndërkohë që do të mbështesin ndryshimet kushtetuese edhe në opozitë.
“Shqiptarët janë pjesë e kushtetutës, bullgarët duhet të hyjnë. Ne kemi biseduar për tërheqjen e 20% dhe unë e kam thënë shpesh, por edhe partitë e tjera edhe shqiptare edhe maqedone tregojnë njëfar respekti dhe mendoj se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në RMV, vetëm duhet të tërhiqen përqindjet dhe numrat dhe në vend të asaj të qëndron fjala gjuha shqipe, besoj se do të ketë mirkuptim prej të gjitha palëve se edhe për këtë ndryshim duhen 80 vota.”, tha Taravari.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski kohë më parë mohoi të ketë zgjerim të qeverisë me arsyetimin se takimi i mbajtur në qeveri me Taravarin ishte për sigurimin e mbështetjes për eurointegrimet.
MERALE ISMAILI
