Ministria e Jashtme i anashkalon diplomatët shqiptarë
Ministria e Punëve të Jashtme përfundoi emërtimin e diplomatëve në përfaqësitë konsullore dhe diplomatike të Maqedonisë...

Nga 17 diplomatë, vetëm 2 janë shqiptarë edhe pse kishin konkurruar rreth 20, njëri është emëruar sekretar i Ambasadës së Maqedonisë në Itali dhe një tjetër u emërua këshilltar në Ambasadën në Hungari.
Nga Ministria e Jashtme nuk komentojnë këtë anashkalim të shqiptarëve gjatë emërimeve nëpër ambasada. Diplomatë maqedonas janë dërguar në Kajro dhe Moskë, ndërkohë që sekretarë ambasadash janë dërguar në Lubjanë, Bruksel, Kiev, Hagë, Moskë, Oslo, Berlin, Nju Jork, Toronto ndërkohë që shefja e kabinetit të ministrit është emëruar në Poloni.
Edhe në një konkurs më herët Ministria e Jashtme nuk i përfilli fare shqiptarët gjatë emërimeve, megjithëse kësaj radhe situata duket se ka lëvizur pak nga pika zero, pasi në konkursin e fundit të paktën kishte 2 shqiptarë, ndërsa një konkurs më herët nga 40 diplomatë asnjë shqiptar nuk u përzgjodh.
Për momentin në rreth 60 përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë në shtetet e huaja dhe organizatat ndërkombëtare ka 3 ambasadorë dhe vetëm një konsull shqiptar, por Ministria e Jashtme sërish vazhdon të jetë hermetikisht e mbyllur për informacion se përse anashkalohen diplomatët shqiptarë gjatë përzgjedhjeve. (Rexhep Qamili, TVM2)
