Maqedoni

Shkupi dhe qytetarët në kolaps, transportuesit privat rikthejnë bllokadat

05.12.2022 09:04

Transportuesit e autobusëve privatë kanë nisur mëngjesin e sotëm nga ora 06:00 të protestojnë në kryeqytet....

Transportuesit privat nga ora gjashtë e mëngjesit kanë vendosur sërish bllokada në disa pika kryesore të kryeqendrës, tek udhëkryqi përballë Qendrës Tregtare Mavrovasja, udhëkryqi tek Kryqi i Kuq si dhe Bulevardi Ilinden. 
 
Ata thonë se kësaj radhe nuk do të heqin bllokadat deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Trupi koordinues I grevës  kërkon që nga java e kaluar  takim të ri me kryetaren e qytetit Daniella Arsovska, pasi Qyteti i Shkupit njoftoi se po e shkëput kontratën me Kompaninë private “Transporti i Lirë”. Shoqata e operatorëve privatë të autobusëve njoftoi se do ta kundërshtojë një vendim të tillë dhe do të inicojë kontest para gjykatës kompetente.
 
Operatorët e linjës së transportit kërkojnë plotësimin e kushteve nga ana e Kompanisë së Transportit Publik të Shkupit, e cila nuk i ka paguar transportuesit privatë prej disa muajsh. Borxhi është afro 980 mijë euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor që pronarët e linjave private nuk kanë marrë nga operatori publik.
 
Kemal Muriq nga kompania private e transportit “Sloboda Avrozh” në deklaratën e tij ishte i prerë se bllokadat nuk do të hiqen derisa të ketë progres për të dalë nga situata.
 
“Të gjithë jemi dëshmitarë se kemi paralajmëruar edhe më herët që deri sa të realizojmë takim me kryetaren e qytetit të Shkupit Danella Arsovska  ne do të radikalizojmë protestat tona. Ashtu siç kemi njoftuar,  sot autobusët janë të parkuar dhe do të jenë këtu derisa të mos ketë përparim në këtë situatë, dmth të na thërrasin për bisedime dhe bien dakord për dinamikën e pagesës së detyrimeve të ngelura, Jemi të përkushtuar në qëllimin tonë,  dhe nga kjo situatë pësojnë vetëm qytetarët.”, tha Kemal Muriq nga kompania private e transportit “Sloboda Avrozh”.