Maqedoni

Kriza energjetike, punime për vënien në funksion të “REK Negotinë”

05.12.2022 10:35

SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut, kumtoi se REK Negotinë sot në mëngjes...

SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut,  kumtoi se REK Negotinë sot në mëngjes do të fillojë me aktivitetet fillestare për vënien në punë të termocentralit.
 
“Mbrëmë përfunduan  aktivitetet e servisimit dhe remontit të gjeneratorit dhe pajisjeve tjera në REK Negotinë, ndërsa sot në mëngjes pritet të fillojnë aktivitetet e fillimit për vënien në funksion të termocentralit.”, njoftuan mbrëmë nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut.
 
Siç bëjnë të ditur nga kompania, në kontratën me operatorin ekonomik që ka kryer punimet, është përcaktuar data 15 dhjetor si datë për përfundimin e punimeve. Me rritjen e intensitetit të punës së operatorit ekonomik, dhe angazhimin e shtuar të punonjësve që ditëve të kaluara është kryer nën mbikëqyrjen e shtuar të drejtorit të përgjithshëm të SHA EMV, Vasko Kovaçevski dhe drejtorit të REK Negotinë, Nebojsha Stojanoviq, afati u shkurtua për 10 ditë. Në kushtet e krizës energjetike, kjo do të thotë përfitim ekonomik dhe energjetik, thonë nga Elektranat e RMV-së. 
 
SHA EMV theksoi se janë duke bërë përpjekje maksimale dhe duke vënë intensivisht në funksionim të gjitha objektet, për të plotësuar nevojën në rritje për energji elektrike shtëpiake, duke pasur parasysh rritjen e borxheve të Qeverisë ndaj SHA EMV për dërgimin e energjisë tek furnizuesi Universal, institucionet, si dhe sektori i biznesit.