Mishel Obama nuk vuri shami, mbreti Salman braktisi ceremoninë e pritjes së Obamës

28.01.2015 18:49

Kur zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shfaq përkrah bashkëshortit të saj në vizitën zyrtare në Arabinë Saudite pa shami në kokë, reagimi i pritshëm mund të ishte një lumë kritikash në rrjetet sociale, e më pas në mediat vendase...

Por, Mishel Obama u përball me “injorimin” total gjatë pritjes së mbretit të ri saudit, Salman.

Vendi konservator ku femrave nuk u lejohet as të drejtojnë një automjet, ka rregulla strikte sa i përket daljes së tyre në publik. Ato duhet të kenë gjithmonë të mbuluara flokët, përndryshe mund të cilësohen si “imorale”.

Ky rregull i shkelur nga Michelle Obama nuk ngjalli reagimin e pritshëm. Në rrjete sociale pati disa postime kundër zgjedhjes së saj, por ato ishin të papërfillshme me numrin e përdoruesve të rrjeteve sociale në Arabinë Saudite, e për më tepër zonja e parë e Shteteve të Bashkuara nuk ishte e vetme, zgjedhjen e saj e bëri edhe Merkel, që u ndal në Riad për t’i shprehur ngushëllimet udhëheqësit të ri të vendit për vdekjen e mbretit Abdullah.

Por, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen, e që njëkohësisht rriti respektin e sauditëve për mbretin e tyre të ri, Salman, ishte “braktisja” që ky i fundit i bëri ceremonisë pritëse të Barack Obamas për të kryer faljen e radhës. Obama priti për më shumë se 10 minuta deri në përfundimin e faljes prej mbretit dhe më pas ceremonia vijoi normalisht, sipas agjendës së parashikuar, përfshirë këtu takimin ku shefi i Shtëpisë së Bardhë i shprehu ngushëllimet monarkut të ri saudit për vdekjen e mbretit Abdullah.