Maqedoni
Buxheti për vitin 2023,193 milion euro janë parashikuar për bujqësi
05.12.2022 15:16
Gjithësej 193 milion euro janë parashikuar për sektorin e bujqësisë për vitin e ardhshëm...

Gjithësej 193 milion euro janë parashikuar për sektorin e bujqësisë për vitin e ardhshëm, buxhet ky i cili është 45 miliona euro më shumë me krahasim me vitin e kaluar. Një pjesë e madhe e mjeteve të parashikuara janë dedikuar për Agjencinë për mbështetje finansiare në bujqësi dhe zhvillim rural dhe subvencionime.
“Propozim buxheti i projektuar duhet të sigurojë siguri, stabilitet dhe bazë për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të bujqësisë dhe do të kontribuojë në rritjen ekonomike. Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve janë dedikuar për Agjencinë për mbështetje finansiare në bujqësi dhe zhvillim rural ku këtë vit është rritja më e madhe e mjeteve. Në 2023 kjo agjenci do të ketë në dispozicion 140 milion euro, prej të cilave 114 janë dedikuar për pagesën e subvencionimeve.”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Mjetet e parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm do të shpërndahen në pesë shtylla, do të vendoset edhe pagesa e shpejtë dhe parakohëshme të mjeteve të subvencionimit, do të ndihmohen bujqit për të prodhuar sa më shumë kultura ushqimore dhe do të ndihmohen për ta modernizuar procesin e prodhimtarisë bujqësore.
“Buxheti është shpërndarë në pesë shtylla kryesore dhe ato janë: reformat në bujqësi, respektivisht modeli i ri i subvencionimit dhe programe të reja, mbështetje e biznesave të vogëla familjare, investimet kapitale në sektorin e ekonomizimin e ujrave, tranzitimi i gjelbërt dhe modernizimi i sektorit të bujqësisë.”, tha ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
Sa i përket pagesës së subvencioneve për vreshtarët, Nikollovski informoi se këto mjete do të paguhen sapo të miratohet buxheti, respektivisht pas vitit të ri dhe si për vreshtarët apo të tjerët të gjitha mjetet të parashikuara do të jepen në kohë.
REXHEP QAMILI
