Botë

Mediat: Jabllanoviç do të shkarkohet brenda javës

29.01.2015 14:37

Ministri për Kthim dhe Komunitete i Republikës së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, do të shkarkohet nga detyra brenda kësaj jave...

Ministri për Kthim dhe Komunitete i Republikës së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, do të shkarkohet nga detyra brenda kësaj jave, ka bërë të ditur për portalin kosovar lajmi.net një zyrtar i lartë i Qeverisë në Prishtinë.
 
Arsyeja e shkarkimit të ministrit Jabllanoviç nuk janë protestat e djeshme që përshkallëzuan në dhunë, por rreziku nga prishja dhe tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike, për çka është investuar aq shumë që prej përfundimit të luftës në Kosovë, thekson burimi qeveritar për median kosovare.
 
Deri më tani në media nuk është përmendur asnjë emër tjetër që mund ta zëvendësojë Jabllanoviçin në këtë detyrë. Sipas analistëve në Kosovë, nëse ministri Jabllanoviç shkarkohet nga detyra, bie edhe Qeveria Mustafa, ndaj një largim i mundshëm i tij duhet bërë vetëm me konsensus nga të dyja palët, ajo shqiptare dhe serbe.
 
Po sipas burimit qeveritar, qëllimi i koalicionit qeveritar, PDK-¬LDK, është që “Lista Serbe” të mbetet brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, me qellim që të vazhdohet me integrimin e serbëve, sidomos të atyre që jetojnë në veri të vendit, por enigmë mbetet se me kë do të mund të zëvendësohej Jabllanoviçi, sepse kjo detyrë sërish me sa duket do t’u rezervohet serbëve. 
 
Deri më tani, kryeministri Mustafa ka përjashtuar mundësinë e shkarkimit të Jabllanoviçit nga detyra, duke theksuar se ai tashmë ka kërkuar falje për fyerjen e bërë ndaj familjarëve të personave të pagjetur të cilët pak javë më parë i quajti egërsira.