Botë
Borrell: Palët kanë marrë tekstin e planit franko-gjerman
06.12.2022 13:57
Prishtina dhe Beogradi kanë marrë tekstin e përditësuar të planit franko-gjerman për dialogun.....

Prishtina dhe Beogradi kanë marrë tekstin e përditësuar të planit franko-gjerman për dialogun. Këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, i cili po merr pjesë në samitin e BE-Ballkani perëndimor në Tiranë.
“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Serbi dhe sot në Kosovë. Tashmë janë ata që duhet të nisin diskutime serioze, sepse në këtë moment ekziston një mundësi e madhe.”,- tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
Lajçak: Po punojmë për takim brenda javësh Kurti-Vuçiq
Nga ana tjetër, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Prishtinë, ku ka takuar kryeministrin, Albin Kurti. Pas takimit Lajçak, ka deklaruar se zyrtarët në Bruksel po punojnë që takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.
“Nuk ka më afate, nuk ka më kriza dhe ne mund të diskutojmë për substancën. Pikërisht për këtë arsye jam këtu për të rikthyer diskutimet tona në normalizim dhe për të diskutuar mbi procesin në hapat e ardhshëm, për t'u siguruar që takimi të jetë i përgatitur mirë dhe ne, vërtetë, besojmë se nuk ka kohë për të humbur.”,- u shpreh i dërguar special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Plani i BE-së, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Plani franko-gjerman në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj, pasi sipas presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.
GYLTENE SINANI
