Botë

Kosovë, raportohet për shpërthime në Veri

06.12.2022 19:36

Dy shpërthime u dëgjuan pasdite në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicën e Veriut në Republikën e Kosovës...

Dy shpërthime u dëgjuan pasdite në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicën e Veriut në Republikën e Kosovës. Një objekt ku Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut po punonte është djegur tërësisht.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton se në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veriore, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.