Botë

Ukrainë, miliona ukrainas në errësirë

06.12.2022 19:54

Sulmeve ajrore ruse, sërish kanë goditur rrjetin elektrik të Ukrainës, me ç’rast miliona ukrainas kanë mbetur në terr...

Sulmeve ajrore ruse, sërish kanë goditur rrjetin elektrik të Ukrainës, me ç’rast miliona ukrainas kanë mbetur në terr. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nga këto sulme janë prekur shumë rajone dhe paralajmëroi gjithashtu se rreth gjysma e Kievit do të mbetet pa energji elektrike në ditët në vijim. Ai tha se inxhinierët veçse kanë nisur punën për t'i riparuar linjat elektrike të goditura nga sulmet.

Sulmet ajrore ruse në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kanë lënë miliona ukrainas pa ngrohje, pa energji elektrike dhe ujë, në një kohë me temperatura jashtëzakonisht të ulëta. Ekziston frika se një numër njerëzish mund të vdesin nga hipotermia. Sulmet ruse me raketa ndaj infrastrukturës civile janë intensifikuar javët e fundit, derisa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e dhjetë.

Hungaria ka vendosur veto ndaj paketës së ndihmës prej 18 miliardë eurosh për Ukrainën, duke detyruar Komisionin Evropian dhe vendet e BE-së të kërkojnë një alternative për të siguruar që Ukraina të marrë ndihmën e nevojshme. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi të martën frontet e luftës në afërsi të Sllovijanskut, në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës.

Ai tha se luftimet në këtë zonë janë “të vështira”, pasi forcat ruse po tentojnë të marrin qytetin industrial të Bahmutit. Vizita e Zelenskyt vjen në kohën kur presidenti rus, Vladimir Putin, mblodhi këshillin e tij të sigurisë, pas disa sulmeve me dronë në ndërtesat ushtarake brenda territorit të Rusisë.