Botë
Incidentet në Veri, Kurti: Do të rritet prezenca e policisë
07.12.2022 11:08
Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve...

Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz. Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.
Policia e Kosovës tha se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës”, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”. Incidentet ndodhën derisa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuara, me disa individë të maskuar” i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”. Ai tha se aktet që kanë qëllim pengimin e procesit zgjedhor, janë të papranueshme.
Ndërkohë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në veri do të ketë shtim të pranisë policore. Sipas tij, sulmet atje po kryhen nga “banda kriminale”, të cilat “paguhen dhe dirigjohen nga Serbia”.
Për incidentet e së martës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri përgjegjëse, “bandat kriminale, të përkrahura politikisht dhe financiarisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, vlerëson se, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor. "Kthimi kah dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimi i jetëve nuk janë kurrë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë", shkroi Hovenier në Twitter. Shqetësimin e tyre e kanë shfaqur edhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
