Botë

Spanjë, përplasen dy trena, mbi 150 të lënduar

07.12.2022 12:56

Të paktën 155 persona janë lënduar pasi dy trena u përplasën me njëri-tjetrin në Spanjë...

Të paktën 155 persona janë lënduar pasi dy trena u përplasën me njëri-tjetrin në Spanjë. Aksidenti ndodhi rreth orës 07:50 të mëngjesit, kur një tren që udhëtonte drejt Barcelonës, u përplas me një tren tjetër që po shkonte drejt kryeqytetit katalanas dhe që ishte ndalur në stacionin Montcada. 
 
“Papritmas, gjithçka u nxi. Treni goditi diçka, ne nuk dinim se çfarë. Aty qëndronin njerëz që ranë, unë rashë mbi pasagjerin pranë meje.",- tha një dëshmitar.
 
"Kishte njerëz me gjak që kishin marrë lëndime nga goditja, kishte edhe disa me kocka të përdredhura.",- theksoi një qytetar. 
 
“Nga 155 të lënduarit që SEM ka ndihmuar, 39 janë transferuar në qendra të ndryshme mjekësore në zonë. Të gjithë janë lënduar lehtë, asnjë seriozisht.”,- u shpreh shefi i shërbimit të urgjencës, Joan Carles Gómez.
 
Policia po heton shkaqet e incidentit. Presidenti i qeverisë rajonale të Katalonjës, Pere Aragonès Garcia, kërkoi “shpjegime” urgjente nga qeveria spanjolle për shkaqet e aksidentit. Ministrja spanjolle e Transportit kërkon t’u lihet kohë hetimeve.
 
“Mendoj se është ende herët për të ditur shkaqet, duhet të presim rezultatet e hetimeve dhe informacionin nga kutinë e zezë të vetë trenave.”,- tha ministrja e Transportit e Spanjës, Raquel Sanchez.
Incidenti detyroi të aktivizohej plani i alarmit të Mbrojtjes Civile për aksidentet hekurudhore.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI