Botë

Incidentet në Veri, reagime nga zyrtarët dhe diplomatët në Kosovë

07.12.2022 14:06

Persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar....

Persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar, të martën dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”, ka bërët ë ditur policia e Kosovës. Incidentet ndodhën derisa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore, për zgjedhjet e 18 dhjetorit.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se: “Grupe të organizuara, me disa individë të maskuar, i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët, me shok bomba dhe të shtëna në ajër”.

Ndërkohë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmet në veri po kryhen nga banda kriminale, të cilat paguhen dhe dirigjohen nga Serbia. 

“Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë”, ka theksuar Kurti në një postim në rrjetet sociale.

Për incidentet e së martës, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri përgjegjëse, “bandat kriminale, të përkrahura politikisht dhe financiarisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Ndërsa Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, vlerëson se, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor. "Kthimi kah dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimi i jetëve nuk janë kurrë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë", ka shkruar Hovenier në Twitter.

Shqetësimin e tyre e kanë shfaqur edhe shefi i EULEX-it, Wigemark, por edhe ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe diplomat të tjerë, të cilët janë shprehur kundër akteve të dhunës. (Gyltene Sinani, TVM2)