Maqedoni

Vazhdon kaosi urbanistik në Shkup, protestuesit: Ne kërkojmë vetëm paratë tona

07.12.2022 14:24

Për më shumë se 30 vite janë pas timonit me autobusët e tyre....

Për më shumë se 30 vite janë pas timonit me autobusët e tyre. Tanimë disa ditë kanë bllokuar rrugët e kryeqendrës e kërkojnë t’u paguhet borxhi që të mbijetojnë.  
 
“Paratë të na kthehen pas, pasi nuk kemi mjete për punë, nuk kemi se si të lëvizim. Momentalisht të gjithë janë në një krizë të tillë, që nuk kemi para as për karburant. Madje edhe kemi borxh te pompat e benzinave. Ashtu që nga të shkojmë i kemi dyert e mbyllura.”,- deklaroi një shofer autobusi.
 
Transportuesit privatë e cilësojnë thirrjen publike të shpallur nga Qyteti i Shkupit si përpjekje për t’i përçarë.  
 
“Me këtë konkurs ata veçse duan të na përçajnë. Nëse për shembull në ato dy linja shkojnë 15-10 autobusë, atëherë çfarë do të ndodhë me 180 autobusët e tjerë.”,- theksoi Isen Halili nga Këshill Drejtues i “Makekspres”.
 
Në thirrjen publike transportuesit privatë mund të konkurrojnë individualisht ose përmes përfaqësuesit të grupit, por vetëm për linjat 20 dhe 22, por nga Qyteti i Shkupit kanë sqaruar tashmë se "Sloboda prezov" dhe "Makexpress" nuk do të mund të aplikojnë për një vit nga dita e përfundimit të kontratës për shkak të shkeljes së dispozitave. Lenin Jovanovski nga “Slloboda Prevoz” tregohet se është i gatshëm që të japë dorëheqje në mënyrë që kjo çështje të mos marrë dimension politik. 
 
“Ne për momentin i përfaqësojmë dhe ngremë zërin për transportuesit privatë. Se a do të jetë “Slloboda Prevoz” kryesues i grupit apo do të jetë e ç’kyçur për shkak të prishjes së marrëveshjes është çështje juridike, që nuk ndryshon asgjë nga ajo që është kërkesë e transportuesve privatë.”,- u shpreh Lenin Jovnovski nga “Slloboda Prevoz”.
 
Qytetarët: Të ulen e të zgjidhin problemin, po vuajmë ne
 
Përderisa bllokadat vazhdojnë, Shkupi vazhdon të përjetojë kaos në trafik. Temperaturat e ulëta nuk favorizojnë ecjen në këmbë apo me biçikletë. Qytetarët vështirë lëvizin e kërkojnë zgjidhje urgjente të problemit. 
 
“Katastrofë, kjo gjendje është katastrofë e paparë. Ky shtet vetëm po fundoset. Si nuk u gjet dikush që të ulet në tavolinë dhe ta zgjidh këtë problem. Me dialog zgjidhet gjithçka. Edhe ata kanë të drejta, i kërkojnë rrogat.”,- deklaroi një qytetar. 
 
“Po ecim në këmbë. Deri sa të zgjasin bllokimet në këmbë do ecim.”,- theksoi një qytetar. 
 
Transportuesit privatë u bëjnë thirrje qytetarëve të kenë konsideratë për hallin e tyre e ftojnë të gjitha institucioneve që të kyçen në zgjidhjen e problemit.
 
ERSAN PAJAZITI