Besimi në institucione nën mesataren, më mirë qëndron presidenti, më keq gjyqësia
Korrupsioni është arsyeja kryesore....

Korrupsioni është arsyeja kryesore që qytetarët nuk u besojnë as politikanëve dhe as institucioneve. Nepotizmi dhe klientelizmi e rrënojnë edhe më shumë besimin në institucione.
Hulumtimi që ka realizuar Instituti për Demokraci në kuadër të Programit për përkrahje parlamentare ka rezultuar se besimi në institucione, në përgjithësi, është nën mesataren. Më keq qëndron Gjyqësia.
“Nga një deri në dhjetë, besimi në institucionet më të rëndësishme demokratike në shtet është nën pesë. Pra, nën mesataren. Besueshmëri më të madhe ka presidenti me 5.2%, më pas vjen Kuvendi, Qeveria dhe në fund është gjyqësia. Pjesa më e madhe prej tyre konsiderojnë se nuk mund të marrin shërbim cilësor pasi nuk ka vullnet politik për reforma në institucionet shtetërore por, gjithashtu mendojnë se në institucione nuk ka më njerëz kompetent për shkak të ikjes së intelektualëve dhe të të rinjve nga shteti.”,- deklaroi Vlora Reçica nga Instituti për Demokraci.
Gjatë hulumtimit, një pjesë e madhe e qytetarëve kanë konfirmuar se për të marrë shërbime në institucione janë detyruar të jenë pjesë e korrupsionit. Mirëpresin përpjekjet e partnerëve ndërkombëtar për të luftuar krimin dhe korrupsionin por, para së gjithash, presin që këtë ta bëjnë politikanët që i ata vetë i zgjedhin me votë.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve është dashur që vetë të jenë pjesë e korrupsionit për të marrë shërbimet bazë nga institucionet, që u takojnë si qytetarë. Ka edhe një element të rëndësishëm, qytetarët presin që politikanët tanë të adresojnë problemet e tyre, përkatësisht qeveria e jonë dhe jo fuqi të treta siç është SHBA dhe BE. Deklarimet e tyre i shohin si të rëndësishme por, gjithashtu shohin se vet nuk mund të bëjmë asgjë a presin që si shtet të ngrihemi në këmbët tona.”,- u shpreh Vlora Reçica nga Instituti për Demokraci.
Konsensusi politik mes partive parlamentare, për çështje me interes jetësor për qytetarët, është më se i domosdoshëm, konsiderojnë të anketuarit në këtë hulumtim. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
