Tragjedia në spitalin modular, seanca shtyhet për më 27 dhjetor

07.12.2022 17:01

Dy orë pas fillimit të gjykimit...

Dy orë pas fillimit të gjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, ku mbetën të vdekur 14 persona e dhjetëra të tjerë u lënduan, seanca u shty për 27 dhjetor në orën 10:00.

Seanca që nisi më në fund pas tre seancave paraprake të anuluara, u ndërpre me kërkesë të avokatëve mbrojtës të cilët nuk pajtohen lidhur me paraqitjen e provave nga Prokuroria. Ata kërkuan që prokurori të lexonte të gjitha provat, në vend të citimit vetëm të titujve. Ata kanë pasur edhe vërejtje se disa nga titujt nuk janë përfshirë në listën e provave që prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë.

Gjykatësi, Jordan Vellkovski,  insistonte që seanca leximore e dëshmive të vazhdojë, por kjo kërkesë u kundërshtua ashpër dhe nuk u pranua nga tre avokatë mbrojtës të të akuzuarve, me arsyetimin se mënyra në të cilën prokurori publik po prezantonte dëshmitë nuk ishte në pajtim me rregullat ligjore.

Mbrojtja  kërkoi  nga gjykatësi  që seanca të anulohet për një periudhë të shkurtër, me qëllim që të kenë kohë që me shkrim të japin vërejtjet e tyre për dëshmitë.

Në seancën e 27 dhjetorit, pritet që të bëhet rregullimi i prezantimit të dëshmive, por edhe dorëzimi me shkrim i vërejtjeve për dëshmi të caktuara nga ana e avokatëve mbrojtës.

Këta të fundit  po ashtu kanë dorëzuar dëshmish të reja dhe janë propozuar mbi 20 dëshmitarë të cilët pritet të dëgjohen gjatë rrjedhës së gjykimit për modularin e Tetovës.

Të akuzuarit në rastin e spitalit Modular në Tetovë janë ish drejtorët, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe mjeku, Boban Buçvaki, dhe Spitali Klinik i Tetovës si subjekt juridik. Më 27 korrik 2022, Prokuroria dorëzoi aktakuzë nga Gjykata Themelore e Tetovës pas hetimit dhjetë mujor në të cilin u bënë ekspertizë nga MPB, Fakulteti i Teknologjisë, një inxhinier elektroteknik dhe ekspertë e hetues nga Policia Federale Kriminale e Gjermanisë. Ditë më parë nisi më në fund edhe heqja e mbetjeve të spitalit modular të djegur. (Sedat Selimi, TVM2)