Paraqitet edhe një kandidat, shtyhet zgjedhja e drejtorit të ri në AGJPP

07.12.2022 17:23

Paraqitja e gjykatësit e Angel Dimovski....

Paraqitja e gjykatësit e Angel Dimovski, si kandidat i ri për drejtor në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, ka bërë që Bordi drejtues të largojë nga rendi i ditës pikën për zgjedhjen e drejtorit të AGJPP-së, ku aktualisht ishin paraqitur tre kandidatë.

Kandidatura e re do të shqyrtohet nga Komisioni për Zgjedhje e seanca e re për zgjedhjen e drejtorit të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë do të caktohet në mënyrë plotësuese.

Me kandidaturën shtesë, në garë për karrigen e parë të AGJPP-së janë katër kandidatë, Emilija Shopar-Jovanova, Nenad Saveski, Natasha Gaber Damjanovska dhe Angel Dimovski.

Nevoja për zgjedhjen e menjëhershme të Drejtorit të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë erdhi pas dorëheqjes së parevokueshme të anëtarit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së, Zoran Gerasimoski, nga pozita e ushtruesit të detyrës drejtor që erdhi pas reagimit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, sipas të cilëve drejtor nuk mund të jetë një gjykatës, të cilit i pushon vendi i punës pas përzgjedhjes si anëtar i Këshillit Gjyqësor.

Natasha Gaber Damjanovska ishte drejtoreshë 4 vitet e fundit e funksionin e ushtroi deri më 30 nëntor.

Pas dorëheqjes së Gerasimovskit, për dy ditë vendin e drejtorit në Akademi e ka udhëhequr Besir Aliu - anëtar i Bordit drejtues dhe prokuror publik në Prokurorinë Themelore në Tetovë. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)