Maqedoni
Rama nga Brukseli: Ndikimi rus i pranishëm, rreziku është real
07.12.2022 17:45
Pa kaluar 24 orë nga Samiti BE-së në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama...

Pa kaluar 24 orë nga Samiti BE-së në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, udhëtoi drejt Brukselit për të folur bashkë me presidentin, Stevo Pendarovski, dhe kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, se çfarë përfitimesh solli ky samit për Ballkanin Perëndimor.
Shpjegoi se çfarë ndodh nëse BE krijon një vakum në Ballkanin perëndimor. Tha se ndikimi rus është i pranishëm dhe rreziku është real.
“Ne jemi të shqetësuar nga disa të tjerë, sepse ndryshe Rusia do të vijë, ne do shkojmë te Turqia, të martohemi me Turqinë dhe pastaj të marrim Kinën si ndërmjetës e do të bëjmë diçka ndryshe. Jo! Nuk është kjo mënyra sesi duhet të veprojmë. Na duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë, të jemi të bekuar që gjendemi në mes të Europës.”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Pendarovski: Më pak BE në rajon, më shumë hapësirë Rusisë
Presidenti, Stevo Pendarovski, pajtohet se hapja e negociatave për anëtarësim në BE, është një moment historik, por fillimi i këtij procesi ka pasur një çmim të lartë për vendin tonë. Vuri në dukje sondazhet e opinionit publik dhe rënien e euro-entuziazmit.
Pendarovski theksoi domosdoshmërinë që Ballkani Perëndimor të jetë vazhdimisht në fokusin e Unionit, jo vetëm kur Evropa përballet me sfida si lufta apo kriza e emigrantëve.
“Nevojiten ndryshime si në rajonin tonë ashtu edhe në Bruksel. Derisa Bashkimi të ndryshojë mënyrën e vendimmarrjes, nuk mund të pritet përparim i madh në lidhje me zgjerimin, por edhe me politikat e tjera. Sa më pak të jetë e pranishme BE-ja në rajonin tonë, aq më shumë hapësirë do t'i jepet Rusisë dhe modeleve të ndryshme të qeverisjes totalitare.”,- theksoi presidenti, Stevo Pendarovski.
Në samit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
