Putin: Rusia “nuk është çmendur”, nuk do të përdorë e para armët bërthamore

08.12.2022 12:06

Presidenti rus, Vladimir Putin...

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se lufta në Ukrianë do të zgjas, ndërsa kërcënimi i një lufte bërthamore është duke u rritur, por ka shtuar se Rusia “nuk është çmendur” dhe nuk do ta përdorë e para armën bërthamore.

Duke folur në takimin e Këshillit rus për të Drejta të Njeriut, ai ka thënë se lufta në Ukrainë mund të jetë “proces i gjatë”.

Sipas Putinit, Rusia do ta përdorë armën e shkatërrimit në masë vetëm si kundërpërgjigje ndaj një sulmi.

“Një kërcënim i tillë po rritet, është gabim nëse e fshehim”, ka paralajmëruar Putin, derisa ka folur për luftën përmes video-lidhjes. Putin ka pretenduar se Rusia e ka armën më moderne dhe më të avancuar bërthamore në botë dhe ka kritikuar strategjinë bërthamore amerikane.

“Ne nuk kemi armë bërthamore, përfshirë ato taktike, në territorin e shteteve tjera, mirëpo amerikanët kanë – në Turqi dhe disa vende tjera të Evropës”.

Putin ka përmendur ato që i ka konsideruar rezultate “të mëdha” në luftën në Ukrainë, duke përmendur pretendimet e Rusisë për aneksim të katër rajoneve në Ukrainë, pas mbajtjes së referendumeve ilegale.

Ai ka thënë se aneksimet e kanë bërë Detin Azov, një “det të brendshëm”, dhe se ky ka qenë synim i Petrit të Madh të Rusisë.

Putin e ka krahasuar veten edhe më parë me këtë udhëheqës të shekullit 17-të dhe 18-të. Por, pavarësisht pretendimeve për këto katër territore – Herson, Zaporizhja, Luhansk dhe Donjeck – Moska nuk ka kontroll të plotë mbi ato rajone.