Maqedoni

QAE: transparenca buxhetore në nivel minimal

29.01.2015 15:53

Buxheti shtetëror buron dhe u takon qytetarëve. Por, në këtë moment transparenca buxhetore në Maqedoni është në nivelin minimal...

Buxheti shtetëror buron dhe u takon qytetarëve. Por, në këtë moment  transparenca buxhetore në Maqedoni është në nivelin minimal, ndërsa pjesa dërmuese e institucioneve nuk publikojnë të dhëna për mënyrën e harxhimit të parave të qytetarëve.
 
Ky është konstatimi i Qendrës për Analizë Ekonomike dhe Instituti për Demokraci, sipas të cilëve analizat dëshmojnë se vetëm në tre institucione nuk ka munguar transparenca buxhetore.
 
“Analiza jonë tregon se vetëm tre institucione kanë transparencë buxhetore. Vetëm Fondi i Shëndetësisë publikon raporte mujore, ndërsa vetëm një ose dy institucione i publikojnë buxhetet e tyre në ueb-faqe. Tre ose katër institucione publikojnë raporte të revizionit. Revizioni ka mbaruar për këto institucione, kurse ata nuk i publikojnë të dhënat në ueb-faqe. Si do të informoheni ju për planin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale nëse ata nuk e publikojnë planin strategjik”- deklaroi kryetari i Qendrës për Analiza Ekonomike, Marian Nikollov.
 
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, duke u bazuar në rangimin e Iniciativës Globale për Buxhet të Hapur ku Maqedoninë në vitin 2012 e renditi në vendin e fundit sa i përket transparencës, tha se për të fituar besimin e qytetarëve duhet qenë sa më transparent. 
 
“Duhet të sigurohemi që resurset publike harxhohen me përgjegjësi dhe transparencë. Nuk duhet të shikohet vetëm si një kusht për qasje në BE, ose si pjesë e masave kundër krizës, por si çelës kryesor  i udhëheqjes së mirë, i cili gjendet tek të gjitha shoqëritë moderne"- tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
 
Institucionet më jotransparente në Maqedoni janë Institucioni i Kryetarit të Shtetit, Pushteti Ekzekutiv dhe Pushteti Ligjvënës, ndërsa vetëm 10 për qind e institucioneve paraqesin faturat përfundimtare.
 
SANIJE KASAMI