Maqedoni
Derivate cilësore në pikat e karburanteve
29.01.2015 16:26
Pikat e karburanteve në vend shesin derivate cilësore. Këtë e pohojnë personat e përfshirë në biznesin e naftës...

Pikat e karburanteve në vend shesin derivate cilësore. Këtë e pohojnë personat e përfshirë në biznesin e naftës pas dilemave se shoferët tani më pak mund të ngasin makinën me po atë sasi të karburantit që e shfrytëzonin para se të ulej çmimi.
Pronarët e pikave të karburantit thonë se derivatet e importuara nga Shqipëria dhe Greqia vijnë në cisterna të mbyllura dhe ato hapen në kufi vetëm për shkak të kontrollit doganor.
Mite Jovanovski, pronar i një prej pikave të karburantit, shprehet se në rast se ka ujë në ndonjërën prej derivateve, kjo mund të zbulohet menjëherë.
Pikat e karburantit i bëjnë vetë këto kontrolle. Mjafton që yndyra speciale të bie në kontakt me benzinën, në të cilën ka ujë, që ajo të skuqet.
“Që të vërtetohet se a ka ujë në ndonjë derivat nevojiten 30 sekonda. Ne kontrollojmë vetëm se a ka ujë, ndërsa për gjëra të tjera ne nuk kemi laborator që të dëshmojmë se çfarë ka dhe çka është”- deklaroi pronari i pikës së karburantit, Mite Jovanovski.
Edhe qytetarët shprehen të kënaqur me cilësinë e benzinës. Ata madje kërkojnë ulje të mëtutjeshme të çmimeve.
“Besoj që të bien çmimet edhe më poshtë, do të jetë më mirë për popullatën”- tha një qytetar.
“Jam i kënaqur me cilësinë, edhe çmimet nëse bien do të bëhet akoma më mirë për standardin e qytetarëve”- theksoi një qytetar.
“Jemi të kënaqur, por në Amerikë akoma më lirë janë. Në Amerikë 50 cent, këtu te ne 80 cent apo 90, mirë faleminderit edhe kësaj, ama do të duhet që të bien më poshtë, që të jemi më të kënaqur”- u shpreh një qytetar.
Në Maqedoni, në nivel vjetor importohen 1.5 milionë ton derivate të naftës. Inspektorati Shtetëror i Tregut vjet në 5 nga gjithsej 14 subjekte vërejti mungesë të cilësisë së derivateve.
MERAL ISMAILI
