Maqedoni

Të premten dhe të shtunën stuhi me reshje dhe erë të fuqishme

29.01.2015 17:01

Pasditen e së premtes vendi do të përfshihet nga një stuhi e re reshjesh e shoqëruar me erë të fuqishme...

Nën ndikimin e serisë së valëve të lagështa nga Mesdheu, reshjet do të jenë të shoqëruara me erë të fuqishme jugore deri në 80 kilometra në orë, bëjnë të ditur nga Enti Hidrometeorologjik. Në zonat malore priten edhe reshje të borës. Më të fuqishme reshjet do të jenë në orët e natës, të premten, kur do të bien 40 litra shi për metër katrorë. Ndërsa të shtunën pritet ndërprerje e reshjeve deri në orët e pasdites, ku përsëri do të kthehen reshjet, por me intensitet më të ulët deri në 30 litra për metër katrorë. Stuhia do të përfshijë sidomos pjesët perëndimore dhe jugore të vendit.
 
“Më tepër reshje do të ketë në pjesën perëndimore dhe jugore, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë reshje edhe në pjesët tjera, pasi me reshje do të përfshihet i tërë vendi”- theksuan nga Enti Hidrometeorologjik.        
                                                                                                    
Po sipas meteorologëve, gjatë këtyre dy ditëve vendi do të jetë i përfshirë nga rryma e ngrohtë jugore, ndërsa temperaturat e ditës do të lëvizin prej gjashtë deri në 11, përkatësisht deri më 12 gradë celsius. Reshjet mund të shkaktojnë edhe daljen e lumenjve nga shtrati, duke shkaktuar vërshime sidomos në tokat bujqësore.
 
Pas këtyre njoftimeve, Trupi Koordinues për Ballafaqim me Kriza u ka rekomanduar komunave dhe institucioneve kompetente që të marrin masa preventive për të parandaluar pasojat. Sidomos rekomandohet të kontrollohen shtretërit e lumenjve dhe urat, që të mos pengohet rrjedhja e ujit.
 
Trupi koordinues rekomandon që kryetarët e komunave dhe Pushteti Lokal t’i vendosin në gjendje gatishmërie të gjitha resurset, t’i mobilizojnë shtabet e krizës dhe nëse kanë nevojë për pajisje të kërkojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
 
“I paralajmërojmë të gjithë kryetarët e komunave, të gjitha institucionet shtetërore në Maqedoni të ndërmarrin masat adekuate, me qëllim të mbrojtjes së njerëzve dhe të mirave materiale”- tha drejtori i Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, Oliver Romevski.
 
Po ashtu, trupi koordinues ka kërkuar nga MPB-ja dhe Ministria e Mbrojtjes të jenë të gatshme për intervenime eventuale, ndërsa EVN-ja të themelojë ekipe kujdestare për të evituar defektet në rrjetin elektrik.
 
Njëherit, në dispozicion të qytetarëve është numri i telefonit 195, që mund të kërkohet ndihmë nga Qendra për Ballafaqim me Kriza.
 
GYLTENE SINANI