Botë

Rama: Turqia rol vendimtar në stabilitetin e Europës

09.12.2022 17:31

Në një kohë kur bota po përballet me pasojat e luftës në Ukrainë, për kryeministrin Edi Rama...

Në një kohë kur bota po përballet me pasojat e luftës në Ukrainë, për kryeministrin Edi Rama, roli i Turqisë është vendimtar në ruajtjen e stabilitetit të Europës. I pranishëm në një forum dy ditor që po mbahet në Stamboll, Rama nënvizoi se armët që Putin po përdor janë kriza energjetike dhe siguria ushqimore. Në këtë kontekst sipas tij, Presidenti Erdogan arriti të dalë mbi aleancat e luftës së ftohtë.
 
“Pa Angela Merkelin, fytyra e Europës nuk do të shpëtohej.  Ishte ajo që qëndroi në këmbë në mes të asaj krize të madhe, duke i mirëpritur migrantët në Gjermani. Por pa Recep Tayyip Erdogan, muret e Europës nuk do të kishin qëndruar në këmbë.Besnike ndaj mënyrës së saj, Ankaraja ka lënë më në hije identitetin e vet si anëtare e NATO-s dhe aleate e SHBA-së në këmbim të rolit për  ndërmjetësin midis Moskës dhe Kievit”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
 
Për Ramën, Turqia ka një rol thelbësor edhe në Ballkan, duke vënë në dukje se elementët pro Rusë janë evidentë në Serbi dhe Republika Srbska.
 
“Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, ne në Ballkanin Perëndimor kemi vende ku mbi 70% e popullsisë ende beson se Rusia nuk është agresore dhe se Putini nuk është fajtor, por një udhëheqës të cilit mund t’i besohet të sjellë siguri në Europë dhe të ndryshojë ekuilibrin e pushtetit në kontinentin tonë”, theksoi Rama.
 
Rama u takua edhe me presidentin Rexhep taip Erdogan, me të cilin diskutoi çështje të marrëdhënieve bilaterale, situatën në rajon, Komunitetin e Ri Politik Europian, si edhe luftën në Ukrainë.
 
LULJETA NDOKA