Ekonomi

Maqedonia dhe Kosova promovuan 6 projektet e fituara

29.01.2015 17:10

Maqedonia dhe Kosova promovuan 6 projektet e para si grande të fituara nga fondet paraqasëse IPA-2 të Bashkimit Evropian...

Projektet realizohen në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, ndërsa komunat që do t’i thithin 2.16 milionë euro janë Çairi, Gostivari dhe Likova nga Maqedonia, si dhe Gjilani, Vitia dhe Dragashi nga Kosova. Çairi dhe Gjilani janë ranguar të parat dhe së bashku do të përfitojnë 550 mijë euro.
 
“Fokusi në Komunën e Çairit është Çarshia e Vjetër, kjo do të kontribuon dukshëm në përmirësimin e imazhit, në ofrimin e kushteve më të mira për turizmin. Konkretisht, një bashkësi lokale që deri tani ka shërbyer për shoqatat joqeveritare, do të rinovohet krejtësisht në përputhje me ligjin që e mbron çarshinë, do të ketë një shkollë për dizajn dhe kreacion  nga Izet Curri, i mirënjohuri dizajner nga Shkupi, që ka jetuar në Paris. Po ashtu do të ketë edhe disa komponenta tjera, vendosja e info-tabelave kompjuterike, të cilat do të informojnë turistët më mirë se çka përmban çarshia dhe komponenta e tretë është një pilot-projekt për fillimin e unifikimit të fasadave të dyqaneve në Çarshinë e Vjetër”- deklaroi kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.
 
“Gjilani ka zgjedhur që në fazën e parë t’i japë përparësi ekonomisë sociale. Bashkëpunimi ndërkufitar është ai që ka bashkuar Evropën. Duke i zbutur kufijtë  neve na bashkon, shpresoj shumë se  Bellanoc- Stançiç vendkalimi në mes Gjilanit dhe Kumanovës do ta afrojë Gjilanin dhe Çairin edhe më afër në kuptimin fizik dhe gjeografik, dhe është qëllimi kryesor i hapjes së korridoreve jo vetëm të qarkullimit të njerëzve, por edhe të mallrave”- tha kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.                
                                             
Bashkëpunimi ndërkufitar praktikisht është mundësi që njerëzit nga të dyja anët e kufirit të bashkëpunojnë dhe t’i përmirësojnë kushtet ekonomike, sociale dhe ato të ambientit jetësor në të gjitha nivelet, tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Avio Orav. 
 
“Bashkëpunimi ndërkufitar përbën element kyç të politikave të Bashkimit Evropian me fqinjët e saj. Një bashkëpunim i përkushtuar ndërkufitar dhe aktiv i vendeve të kyçura në procesin e zgjerimit, vendeve anëtare të BE-së dhe partnerëve tjerë luan një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit”- u shpreh ambasadori i BE-së në Republikën e Maqedonisë, Avio Orav.            
            
Nga ministritë e vetëqeverisjes lokale të të dyja vendeve konsiderojnë se me këto programe do të mundësohet zhvillim rajonal dhe rigjallërim i zonave kufitare.
 
Përveç me Kosovën, bashkëpunime të ngjashme Maqedonia deri më tani ka realizuar edhe me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë.
 
NAIM RAMADANI