Zgjedhjet e pjesëshme në Veri të Kosovës, Osmani: Shtyhen në prill
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë shtyrë për në muajin prill.
Zgjedhjet janë shtyrë me dakordësimin e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhjen që u zhvillua sot. Osmani u takua sot me partitë politike për të diskutuar rreth mbajtjes apo shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut të cilat ishin planifikuar të mbaheshin në 18 dhe 25 dhjetor.
Në takim mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Si përfaqësues të serbëve ishin Aleksandar Jabllanoviç dhe Nenad Rashiq. Pjesë e mbledhjes nuk ishte AAK-ja. Ndërsa Vlora Citaku e PDK-së tha se qeveria e Kosovës ka dështuar të organizojë zgjedhjet në veri. PDK-ja është pajtuar të shtyhen zgjedhjet për hir të një konsensusi të brendshëm.
Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente, përfshirë të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës , por, pa pasoja në njerëz.
