Maqedoni

Ambasadori i Izraelit vizitoi BFI-në

29.01.2015 17:16

Ambasadori i Izraelit në Maqedoni, Dan Oryan, vizitoi për herë të parë Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë...

Ai u prit nga kryetari i këtij institucioni, Sulejman Rexhepi. Kryetari i BFI-së tha se raportet e ngushta miqësore janë historikisht të njohura  në mes të të dy popujve dhe janë dëshmuar në Luftën e Dytë Botërore, atëherë kur ishte në pyetje likuidimi definitiv i tyre nga nazistët, shqiptarët u kanë dalë në ndihmë, duke i strehuar nëpër shtëpitë e tyre. 
 
“Bashkërisht biseduam për shumë çështje që përafërsisht jemi identik me ambasadorin e nderuar, por krejt në fund bashkërisht u pajtuam që të përcjellim porosi, mesazh për mirëkuptim, liri për siguri njerëzore në tërësi. Bashkërisht i gjykojmë edhe veprat terroriste sot që ndodhin dhe radikalizmin ekstrem që praktikohet në mes Sirisë dhe Irakut dhe ajo që quhet “Shtet Islamik”, por për fat të keq nuk ka lidhje me Islamin. Jemi kundër përhapjes së ideve anti-semitiste, që edhe sot e kësaj dite për fat të keq janë evidente në botë. A njëherit ka një sjellje pak më e re që është e fokusuar mbi përhapjen e islamofobisë”- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
 
Ambasadori i Izraelit në Maqedoni, Dan Orian, duke falënderuar BFI-në për interesimin e dialogut dhe kërkimit për një rrugëdalje kundër radikalizmit dhe akteve terroriste, tha se Izraeli do të përkrah projektin e BFI-së për risocializimin e personave që do të kthehen nga konfliktet në Siri dhe Irak.
 
“Sot Izraeli është një vend ku çdokush jeton në paqe, si myslimanët, krishterët apo hebrenjtë, të cilët lirshëm praktikojnë atë që besojnë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe besoj që kjo do të ndodh në çdo vend”- tha ambasadori i Izraelit në Maqedoni, Dan Oryan.
 
Ambasadori izraelit po ashtu ka falënderuar Rexhepin për qëndrimet miqësore që i ka për Shtetin izraelit, për popullin hebre, por edhe për komunitetin hebraik në Maqedoni. 
 
Oryan e ftoi Rexhepin që të marrë pjesë në një konferencë për antisemitizmin që do të mbahet në muajin maj, në Telavim.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU