Maqedoni

Kiprijanovska: Maqedonia ka paguar anëtarësinë në OKB

29.01.2015 17:34

Pas bujës mediatike, Maqedonia ka paguar anëtarësinë në OKB dhe ka ruajtur të drejtën e votës në këtë organizëm ndërkombëtar...

Edhe pse vendet kanë afat dyvjeçar për të bërë pagesën e anëtarësisë, vendi e tejkaloi afatin, duke u radhitur kështu me vendet më të varfra në nivel botëror, si Somalia dhe Kirgistani.  
 
“Arsyeja pse u gjendëm në këtë listë, në të cilën në fakt ishin edhe shtete të tjera, është se kishte kaluar afati prej dy vjet, afat i lejuar për tejkalim. Ndërhyjmë menjëherë përmes ambasadës dhe u bë pagesa, por me rëndësi është se e drejta e votës nuk i është marrë Republikës së Maqedonisë”- deklaroi zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Dragana Kiprijanovska.
 
Deputetja e pavarur, Roza Topuzova Karevska, pyeti qeverinë nëse dikush do të mbajë përgjegjësi për këtë akt që, sipas saj, ka dëmtuar imazhin e Maqedonisë në nivel botëror.    
  
“Maqedonia me një akt të tillë të papërgjegjshëm u gjind mes vendeve si Liberia, Somalia, Jemeni, Grenada, Kirgistan dhe të tjera. Kjo është shoqëria e Maqedonisë? Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë akt të turpshëm për Maqedoninë? Pas kësaj a nuk ndjen nevojë ministri që të dorëhiqet, pasi me këtë lëshim u dëmtua imazhi ndërkombëtar i Maqedonisë jo vetëm në Evropë, por edhe në nivel botëror”- tha deputetja e pavarur, Roza Topuzova Karevska.
 
Veç kësaj, Topuzova ngriti shqetësimin e edhe për nivelin e lartë të parave të pista që dalin jashtë vendit.
 
Duke cituar Institutin Amerikan “Integriteti Financiar Global”, Topuzova tha se në 10 vitet e fundit janë pompuar jashtë vendi mbi 5.4 miliardë dollarë, para të pista. 
 
Pyetjes për vërtetësinë e informacioneve të cituara do t’i përgjigjet me shkrim ministri i Financave, Zoran Stavrevski.    
 
SHPËTIM NUREDINI