Kërçovë: Përfundon Edicioni i dytë i Festivalit “Uskana Fest”
Mbrëmë në Kërçovë përfundoi edicioni i dytë....

Mbrëmë në Kërçovë përfundoi edicioni i dytë i festivalit të teatrove “Uskana Fest” i cili në gjashtë mbrëmjet e kaluara, në skenën e Pallatit të Kulturës në Kërçovë solli gjashtë projekte të bukura dramatike.
Çmimin e parë të festivalit e fitoi teatri i Tetovës me shfaqjen “Armiku i popullit”.
Edicioni i dytë i festivalit të teatrove “Uskana fest” i organizuar nga shoqata “Art Akt” filloi me shfaqjen e teatrit shqiptar të Shkupit “Ylli pa emër”, ndërsa gjatë netëve në vazhdim para publikut kërçovar u prezentuan edhe aktorët e teatrove nga Gostivari, Manastiri, Prizreni dhe produksioni “Dhëmbi i artë” nga Shkupi.
Në mbrëmjen e fundit para publikut kërçovar u prezentua shfaqja e teatrit të Tetovës “Armiku i popullit”, e cila mori çmimin e parë të jurisë profesionale.
Çmimin “Uskana Fest” e dorëzoi kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i cili me këtë rast falenderoi organizatorin e këtij festivali dhe u shprehu mirënjohje të gjithë aktorëve që me prezentimet e tyre në gjashtë netët e festivalit, e nderuan Kërçovën dhe dashamirët e artit dramatik të kësaj komune.
Festivali i teatrove “Uskana Fest” është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Kërçovës. (Shaban Dalipi, TVM2)