Kovaçevski: Nuk duhet të humbasim shansin për të hyrë në BE

11.12.2022 15:20

Skriningu me Bashkimin Evropian po ecën sipas planit...

Skriningu me Bashkimin Evropian po ecën sipas planit, para nesh tani janë ndryshimet kushtetuese që do të jenë para 120 deputetëve. Për mua është e qartë se vendimi i tyre nuk do të jetë i lehtë, por pres që ata të tregojnë sjellje shtetërore, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për MIA-n.

Ai thotë se është një optimist racional, ndaj beson se anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 është një qëllim ambicioz por i arritshëm.

“Ajo që është e qartë është se ata kanë një zgjedhje për t'i lënë gjërat ashtu siç janë dhe për ta lënë vendin në stagnim dhe pasiguri, por unë sinqerisht besoj dhe kam bindjen se ata do të jenë në lartësinë e detyrës dhe ata do të marrin një vendim për të siguruar një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë.Deputetët janë dhe mbi të gjitha mbeten përfaqësues të qytetarëve dhe qytetarët duan të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së. Ata duan që ne të jemi anëtarë të plotë. Jo vetëm për hir të anëtarësimit , por për një standard më të mirë jetese, për një shtet ligjor më të mirë, infrastrukturë më të mirë, shërbime më të mira për qytetarët, për progres ekonomik, drejtësisë sociale, dhe sundim të demokracisë”, ka vlerësuar kryeministri Kovaçevski.

Duke folur për krimin dhe korrupsionin, Kovaçevski, bëri të ditur se problemet me korrupsionin, gjyqësorin dhe prokurorinë do të jenë objekt shqyrtimi dhe analize nga BE.

“Gjyqësori është pushtet i pavarur, nuk dua dhe as lejoj ndërhyrje në punën e tyre. Qeveria, brenda kompetencave të saj, siguron dhe do të vazhdojë të ofrojë kushte për funksionimin e qetë dhe të pavarur të gjyqësorit, por ne të gjithë së bashku si shoqëri duhet të japim kontributin tonë në zgjidhjen e korrupsionit dhe natyrisht të sigurojmë që gjyqësori në tërësi të gjejë zgjidhje që do të jetë sipas standardeve dhe parimeve më të larta demokratike dhe që do të sigurojë sot dhe në të ardhmen pavarësi dhe integritet të pacenueshëm veprimi”, thotë Kovaçevski.

Kryeministri thotë se askush nuk do të mbetet vetëm për të përballuar krizën, por duhet pasur parasysh se na pret njw vit i vështirë ku duhet solidaritet dhe jo bollëk. Megjithatë, ai beson se buxheti për një vit, që është i pari i tij si kryeministër, do të japë rezultate dhe do të mundësojë rritje dhe zhvillim të përshpejtuar ekonomik. (Sanije Duraku, TVM2)