Situata në Veri të Kosovës, Kurti: Do mbrohemi me forcë dhe vendosmëri

11.12.2022 16:42

Sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe një patrulle të EULEX-it....

Sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe një patrulle të EULEX-it ngritën alarmin në Kosovë, pas së cilës u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Kurti tha se serbët janë qytetarë të Kosovës dhe se duhet të distancohen nga grupet kriminale dhe regjimi i Vuçiqit “i cili i financon dhe kërkon luftë”.

Ai akuzoi Serbinë se dëshiron të kërcënojë integritetin territorial të Kosovës dhe të destabilizojë të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Beogradi zyrtarë sot po flet dhe sillet si para 23 viteve dhe madje udhëhiqet nga një kastë e njëjtë politikanësh me në krye ish-ministrin e informatave të Millosheviqit dhe ish zëdhënësin e partisë së Millosheviqit. Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë, pra, në esencë kërkon të vazhdojë luftën, luftën të cilën e humbi dhe kapitullimin e pranoi aso kohe në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999. Andaj edhe mohimi i shtetit dhe pavarësisë tonë nga ana e Serbisë, përbën kërcënim të vazhdueshëm jo vetëm për shtetin tonë por edhe për ekzistencën tonë” – tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla ka shtuar se Policia e Kosovës është e gatshme të ndërhyjë në largimin e barrikadave.

“Policia e Kosovës ka kapacitetet e duhura që barrikadat të hiqen. Ajo bënë planet e saj operative dhe në momentin që ata e vlerësojnë të duhur, nëse barrikadat nuk hiqen ata do t’i marrin veprimet e duhura. Mos të harroj të them se gjithë kjo është duke ndodhur në bashkëpunim me partnerët tanë, KFOR-in e EULEX-in dhe shtetet e QUINT-it dhe shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën ku nuk do të ketë barrikada” – u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka ripërsëritur thirrjen që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duke thënë se vetëm kështu mund të fillojë normalizimi i marrëdhënieve.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim, ky është vendimi i Serbisë dhe mesazhi im për popullin tonë në Kosovë, i cili sërish detyrohet të mbrojë vatrat e tyre me barrikada”, ka shkruar Vuçiq në Instagram,

BE-ja dhe SHBA-ja dënuan ashpër sulmet ndaj EULEX-it në veri të Kosovës.

“BE-ja nuk do të tolerojë sulme ndaj EULEX -Kosovë apo përdorimin e veprimit të dhunës kriminale në veri. Grupet e serbëve të Kosovës duhet të heqin menjëherë barikadat. Paqja duhet të rhithohet. EULEX-i do të vazhdojë të bashkëkordinohet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangën përshkallimin”, shkruan BOREL në tëitter.

Situata në veri të Kosovës u tensionua ditë më parë pasi KQZ-ja shpalli zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.

Fillimisht u sulmuan anëtarë të KQZ-së dhe më pas edhe zyrtarë policor. Zgjedhjet ishin caktuar të mbahen me 18 dhe 25 dhjetor tani janë shtyrë për në prill. (Sanije Duraku, TVM2)