Osmani, BE-ja është alternativa e vetme, nuk ka dyshime
Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani....

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, i cili sot ndodhet për një vizitë zyrtare në Egjipt, tha se jo vetëm Maqedonia e Veriut, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor është pjesë historike, kulturore, gjeografike, ekonomike dhe politike e Evropës dhe një ditë duhet të jetë pjesë e Bashkimi Evropian.
“Ballkani Perëndimor ku ndodhet Maqedonia e Veriut është në zemër të Bashkimit Evropian. Jemi të rrethuar nga shtetet anëtare të BE-së, kemi politika të përbashkëta me BE-në, ekonomia jonë është plotësisht e integruar me Bashkimin Evropian dhe është një vendim konsensual i popullit tonë gjatë 30 viteve të fundit që alternativa e vetme për rajonin është integrimi i plotë në BE-së. Natyrisht që ka amplituda në disponimin e qytetarëve, por kjo është më shumë për shkak të zhgënjimit që ndiejmë gjatë rrugëtimit të gjatë sesa për shkak të ndonjë dileme në popullin tonë se ky është fati ynë. Nuk ka asnjë dilemë në mesin e qytetarëve tanë, nuk ka asnjë dilemë midis elitave politike as në Maqedoninë e Veriut dhe as në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor se BE-ja është alternativa e vetme për të gjithë rajonin dhe se projekti i BE-së do të përfundojë plotësisht kur Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e Unionit” – tha numri një i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
