Maqedoni
Alarm për bombë në MPJ, denoncime për bombë edhe në objekte të tjera
12.12.2022 10:56
Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se mëngjesin e sotëm kanë marrë denoncim për bomba të vendosura në objektin e kësaj ministrie....

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se mëngjesin e sotëm kanë marrë denoncim për bomba të vendosura në objektin e kësaj ministrie. Në informacionin të cilin e ka pranuar MPJ thuhet se në objekt janë vendosur mjete shpërthyese. Ministria ka njoftuar menjëherë shërbimet përkatëse në MPB, sipas udhëzimeve të të cilave ambienti është evakuuar menjëherë. Sipas protokolleve të sigurisë, sapo të krijohen kushtet e duhura, punonjësit do të kthehen në punë, njofton MPJ.
Denoncime për vendosje të bombave ka pasur këtë mëngjes edhe në disa qendra tregtare të Shkupit, me ç’rast është bërë evakuimi i punonjësve të dyqaneve si dhe vizitorët të cilët kanë rastisur të jenë në objekt. Ekipet e policisë anti-terror në qendrën tregtare në Shkup urdhëruan qytetarët që të largohen, si dhe të gjithë shitësit dhe punonjësit e kompanive në QPT. Po kryhen kontrolle për të parë nëse raporti është i rremë.
Denoncime të ngjashme kanë marrë edhe punonjësit e Ministrisë së Jashtme mëngjesin e sotëm, ndaj edhe aty po bëhet evakuimi i punonjësve.
Denoncime të reja për bomba të vendosura mëngjesin e sotëm ka pasur edhe në disa shkolla të mesme në Shkup. Denoncim për mjet shpërthyes është dërguar mëngjesin e sotëm edhe në një shkollë fillore në Kavadar, njofton policia. Po vijojnë kontrollet anti-terroriste dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.
Denoncime për bomba kanë filluar të përhapen gjithashtu në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit. Mësimet në disa shkolla fillore në Podgoricë të Malit të Zi janë ndërprerë për shkak të raportimeve për bomba të vendosura.
