Maqedoni

Ademi: pas testimit ekstern, MASH-i me raport përfundimtar

29.01.2015 18:06

Testimi ekstern në disa shkolla është realizuar me sukses, në disa pjesërisht dhe disa shkolla nuk e kanë realizuar këtë obligim ligjor...

Kështu vlerëson ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, sipas të cilit çdo vit ka përmirësime në realizimin e  testimit ekstern. Sipas ministrit Ademi, qëllimi i tij nuk është të matet cilësia e mësimdhënësve, por objektiviteti i notimit të nxënësve.
 
Pas përfundimit të testimit ekstern do të vendoset për hapat e mëtejshëm, ka shtuar Ademi.            
                                                                                  
“Pas përfundimit të këtij procesi, ne do të dalim me raportin përfundimtar dhe do vendoset cili do jetë vendimi i mëtejshëm me nxënësit që ende nuk i janë nënshtruar procesit”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Sipas Ademit, është evident mosinformimi i anëtarëve për të drejtat e tyre në periudhë të grevës.
 
“Në periudhë të grevës dhe kur bëhet fjalë për kërkesa të reja, në bazë të marrëveshjes kolektive, neni 54, aline 2, punëdhënësi është i obliguar të paguaj vetëm kontributet për mësimdhënësit në grevë dhe mësimdhënësit nuk janë të informuar që për këtë periudhë nuk do të marrin rrogë nga MASH-i, por edhe nuk janë të informuar edhe ata që nuk janë anëtarë të SASHK-ut, që solidarizohen me të tjerët, nuk do të marrin rrogë as nga MASH-i, po as nga sindikata”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.      
                                                     
Ndërkohë, sipas Ademit, edhe Ligji për Arsim të Lartë dhe për Edukimin e Kuadrit Arsimor pritet të hyjë në fuqi pas shpalljes në gazetën zyrtare.
 
Por, sipas tij, njëkohësisht do të vazhdojnë debatet me universitetet për nevojën e miratimit të një ligji të ri.        
                                             
“Vazhdon debati me palët e tanguara me universitetet, studentët, me qëllim që të diskutohet edhe më tej jo vetëm për këtë ligj, por edhe për zgjidhje tjera ligjore që kanë arsimtarët në të gjitha nivelet dhe nëse konstatohet se ka nevojë të miratohet një ligj i ri për arsimin e lartë, ne si ministri, por edhe qeveria, jemi të gatshëm që t’i qasemi seriozisht përpilimit të një teksti të ri, por ndërkohë jemi të mobilizuar, të obliguar t’i implementojmë ligjet e miratuara në parlament dhe të publikuara në fletoren zyrtare”- u shpreh ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.      
                                                   
Ndërkohë, kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov, thotë se greva sot ka hyrë në ditën e tetë dhe mund të ndërpritet vetëm atëherë kur nga ministritë përgjegjëse SASHK-u do të marrë ofertë pozitive.
 
“Ky është një kushtëzim ndaj nesh, të ndërpresim grevën që më pas të bisedojmë. Bisedimet përfunduan, ne qartë kërkuam vazhdim të tyre, por jo në kushte të kërcënimeve apo urdhrave që të ndërpritet greva. Nëse për MASH-in është presion greva jonë edhe për ne është presion që të kërkohet nga ne të ndërpritet greva”- theksoi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.  
               
Sipas Nedellkovit, testimi ekstern po realizohet në një gjendje kaotike dhe rolin e mësuesve e kanë marrë persona të tjerë. 
 
Ndërkohë, SASHK-u në këto çaste është duke debatuar me anëtarësinë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren. Nga SASHK-u janë decid se greva do të vazhdojë, po për hapat e mëtejshëm janë në rrjedhën e sipër konsultimet. 
 
FLUTURA LATIFI