Maqedoni
Bytyqi: Roli i komunave, i rëndësishëm për integrimet
12.12.2022 14:29
Komunat duhet të rrisin të ardhurat e tyre dhe të forcojnë kapacitetet njerëzore...

Komunat duhet të rrisin të ardhurat e tyre dhe të forcojnë kapacitetet njerëzore, vlerëson zëvendëskryeministri i ekonomisë, Fatmir Bytyqi. Sipas tij, periudha e ardhshme është jashtëzakonisht domethënëse për realizimin e përgatitjeve më të gjera për integrimin e komunave tona në hapësirën administrative të Bashkimit Evropian. Ai beson se vetëm qasja sistematike sjellë zgjidhje të qëndrueshme.
“Jemi të përkushtuar për këtë proces si një nga proceset e rëndësishme reformuese që nevojiten për zhvillim të përshpejtuar, por edhe zhvillim të balancuar dhe të drejtë që do të plotësojë nevojat e qytetarëve. Janë duke u zhvilluar disa procese të mëdha që janë të rëndësishme të ndodhin paralelisht. Këtë vit, në korrik, filluam negociatat me BE-në. Presim që negociatat të kontribuojnë në harmonizimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale me kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Panov: Mungesa e kapacitetit njerëzor, sfidë për komunat
Ministri i pushtetit lokal, Risto Panov, vlerëson se vetëqeverisja lokale është segmenti më dinamik, më i gjallë i sistemit politik, sepse është më i afërt me qytetarët. Edhe ai thekson se vëmendja duhet të jetë te përforcimi i kapacitetit.
“Duhet të punohet më seriozisht në forcimin e kapaciteteve të administratës lokale, sepse çdo thirrje publike për projekte tregon se kjo do të jetë sfida jonë më e madhe në periudhën e ardhshme.”,- tha ministri i vetëqeverisjes lokale, Risto Panov.
Panov theksoi se sivjet po kërkohen mjete nga buxheti, por edhe nga donatorët, për t'i drejtuar në projekte që do t'i ndihmojnë komunat të jenë efikase në energji dhe ta kursejnë atë.
SANIJE DURAKU
