Botë
Tiranë, prezentohet proekti për portin e ri të Durrësit
12.12.2022 17:51
390 milionë euro do të kushtojë faza e parë e projektit për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano...

390 milionë euro do të kushtojë faza e parë e projektit për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano, nga të cilat 46% do t’i paguajë qeveria shqiptare.
Projekti u prezantua në pallatin e Brigadave ku u sqarua se porti i ri do të jetë në funksion të një tregu të përbashkët rajonal, që integron hekurudhën Durrës - Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut.
Gara do të jetë e hapur nga janari-deri në korrik 2023 dhe për t’u bërë pjesë, kryeministri Edi Rama, ftoi të gjitha vendet të marrin pjesë. Ftesë përmes batutash, Rama i bëri edhe Britanisë së Madhe.
“Duhet të jetë nga një vend mik i NATOS. Kështu që nëse Mbretëria e Bashkuar na bën ndonjë propozim për të krijuar së bashku ndonjë situatë që mund të mos i pëlqejë Bashkimit Europian, por mund të jetë e rëndësishme për të dyja palët, ne mund të “Brexit-ojmë” një zonë të Porto Romanos, të vendosim flamurin anglez e të vendosim gjykata angleze që të vendosë për të gjitha konfliktet që mund të jetë midis aktorëve aty dhe shtetit shqiptar, siç është bërë në Dubai. Jemi të hapur për të gjitha dhe ku ta gjejmë që të fusim edhe më shumë, një çik në sherr Anglinë me Bashkimin Europian dhe që anglezët ta kuptojnë që shqiptarët janë gjëja më e mirë që mund tu ndodhë atyre dhe janë gjëja më e mirë që po u ndodh sot e gjithë ditën”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kreu i qeverisë iu përgjigj opozitës, përmes të dhënave konkrete mbi përfitimet e Shqipërisë nga porti i ri tregtar. Me këtë rast, ai nxori edhe një detaj nga samiti i 6 dhjetorit.
“Dua të shtoj se më në fund, edhe ne bëjmë atë që vende të tjera e kanë bërë më parë, kthejmë në një aset me vlerë të lartë ekonomike për vendin portin e vjetër, duke larguar nga qyteti, duke larguar nga zemra e qytetit, mallrat, qymyrin, çimenton, kromin, zhurmën, ndryshkun, ndotjen dhe duke i dhënë zemrës së qytetit një zhvillim fantastik. Një zhvillim fantastik, i cili do të ketë një impakt llogaritur midis 1.2 deri në 1.8% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar në vit dhe i cili në dekadën e parë do t’i sjellë ekonomisë sonë rreth 8 miliardë euro”, theksoi Rama.
Në takim, për shkak të tensioneve në Veri, mungoi kryeministri i Kosovës, të cilit, Rama i drejtoi një mesazh.
“Qeveria e Republikës se Kosovës dhe Republika e Kosovës kanë të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë sonë dhe të Republikës së Shqipërisë”, shtoi Rama.
Maqedoninë e veriut e përfaqësoi zv.kryeministri i parë Artan Grubi, i cili solli në vëmendje pjesën e investimit që prek edhe vendin e tij, nëpërmjet Portit të Thatë të Strugës.
“Po ndërtojmë autostradë me 6 korsi nga Shkupi në Qafë-Thanë që do zvogëlojë distancën Shkup-Tiranë me 2.5 orë, Shkup-Vlorë në 3 orë. Për të patur qasje në port, po planifikojmë linjën hekurudhore Shkup-Kërçovë-Pogradec-Durrës. Në janar, bashkojmë dy kontrollet tona kufitare në një të vetëm me synimin për të hequr përfundimisht kufijtë mes nesh dhe shpresojmë që këtë ta bëjmë me Kosovën gjatë vitit të ardhshëm. Po ndërtojmë edhe linjë interkonjunktive energjetike midis nesh me dy projekte stacionin në Ohër dhe linjën e tensionit të lartë Manastir-Elbasan”, theksoi zv.kryeministri i parë i RMV, Artan Grubi.
Për ministrin e mjedisit të Kosovës Liburn Aliu, gjithçka nis dhe përfundon nga Durrësi.
Takimi u përmbyll me nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare edhe asaj të Maqedonisë së veriut, për portin e thatë të Strugës, në funksion të Portit të ri tregtar të Durrësit.
LULJETA NDOKA
