Bruksel, reagime për skandalin e korrupsionit me Katarin

12.12.2022 20:49

Disa eurodeputetë, dhe një nga nënkryetaret e parlamentit Eva Kaili...

Disa eurodeputetë, dhe një nga nënkryetaret e parlamentit Eva Kaili, po mbahet në paraburgim, pai janë akuzuar se kanë pranuar shuma të mëdha parash nga Katari.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i përshkroi zhvillimet e fundit si “shumë shqetësuese” teksa mbërriti të hënën në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

“Një hetim është duke u zhvilluar dhe ne po e ndjekim atë. Këto janë akuza shumë të rënda”, tha ai. 

Edhe Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se në këtë rast duhej të zbatohej “fuqia e plotë e ligjit”.

Kjo ka të bëjë me besueshmërinë e Evropës, kështu që duhet të ketë pasoja,” tha kryediplomatja gjermane.

Qeveria greke ngriu  të hënë të gjitha pasuritë e Kailit. Politikania është pezulluar gjithashtu nga Socialistët dhe Demokratët e Parlamentit Evropian dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë PASOK të Greqisë.

Të premten, policia belge organizoi 16 bastisje në të gjithë Brukselin.

Ata sekuestruan rreth 600 mijë euro përveç pajisje kompjuterike dhe telefonave celularë.