Botë
Luftimet në Ukrainë, Zelensky kërkon mbështetje nga vendet e G-7
13.12.2022 11:22
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Rusisë që të nisë tërheqjen e trupave nga Ukraina...

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Rusisë që të nisë tërheqjen e trupave nga Ukraina deri në festën e Krishtlindjes. Kjo, sipas Zelenskyt, do të demonstrojë dëshirën e Kremlinit për paqe dhe jo për vazhdim të agresionit.
Me mesazhin drejtuar liderëve të vendeve të G-7, kreu ukrainas tha se Kievi është i gatshëm të përdorë diplomacinë për t’i dhënë fund luftës. Ai po synon të thërrasë një samit të veçantë, Samitin Global të Formulës së Paqes, për të vendosur se si dhe kur do të zbatohen 10 pikat “e paqes” në Ukrainë. Këto pika përfshijnë tërheqjen e trupave rusë, ngritjen e një gjykate kundër Kremlinit dhe marrjen e garancive të sigurisë nga Ukraina. “Nëse Rusia tërheq trupat e saj nga Ukraina, do të sigurohet edhe ndalimi i besueshëm i armiqësive”,- tha ai.
Zelensky iu bëri thirrje vendeve të G-7 që ta mbështesin Ukrainën me tanke moderne. “Unë ju bëj thirrje që të rrisni ndihmën për Ukrainën në çështjen e gazit. Terrori kundër termocentraleve tona ka bërë që ne të përdorim më shumë gaz se sa ishte menduar. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për mbështetje shtesë këtë dimër”,- u shpreh ai.
