Botë

Përleshje të dhunshme në Brazil, mbështetësit e Bolsonaros sulmojnë zyrat e policisë

13.12.2022 13:07

Mbështetësit e ish-Presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, kanë përshkallëzuar protestat e tyre....

Mbështetësit e ish-Presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, kanë përshkallëzuar protestat e tyre. Ata  mbrëmë kanë depërtuar deri në zyrat qendrore të policisë, duke djegur gjithçka që u doli përpara.

Sipas dëshmitarëve, mbështetësit e Bolsonaros  janë përplasur fizikisht me forcat e policisë në zyrat e Brasilias. Policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit e dhunshëm dogjën makina dhe autobusë, duke shkaktuar panik në zonë.
 
Dhuna në vend ka shpërthyer që prej zyrtarizimit si kreu i ri i shtetit të Luiz Inacio Lula da Silva, i dalë fitues në zgjedhjet e fundit presidenciale.
 
Përplasjet nisën pas mandatit të arrestit të policisë braziliane ndaj krahut të djathtë dhe mbështetësit kryesor të Bolsonaros, José Acácio Serere Xavante, si organizatori kryesor i protestave pas zgjedhore.
 
Që kur Lula fitoi zgjedhjet presidenciale, paraardhësi i tij Bolsonaro nuk ka pranuar në asnjë moment rezultatin, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që të protestojnë, ndërsa policia ka ngritur edhe barrikada për t’i bllokuar.