Alarmet për bomba, Kovaçevski: Vështirë të detektohen porositësit
Alarmet e rreme për bomba....

Alarmet e rreme për bomba vështirë të detektohen, edhe përkundër angazhimit të MBP-së me shërbimet partnere, deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Sipas kryeministrit, problematike paraqiten adresat virtuale prej të cilave paraqiten personat, andaj kërkoi nga qytetarët të mos përfshihen në aktivitete të tilla, që kanë për qëllim krijimin e kaosit.
“Thuajse është e pamundur të detektohet se nga vjen lajmërimi, pasi që bëhet fjalë për rrjete private virtuale VNP që funksionojnë jashtë shtetit. Andaj edhe punojmë me shërbime të tjera partnere, pasi që kjo është rezultat i luftës hibride dhe shërbimeve tona u mbetet që të përballen me këtë problem. Qytetarët tanë të mos marrin pjesë në aktivitete të tilla, sepse rrezikohet paqja e qytetarëve dhe funksionimi normal i institucioneve të shënjestruara.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Nga Ministria e Brendshme me qëndrim se po punojnë në gjetjen e autorëve, ndërkaq sigurojnë qytetarët se siguria është e garantuar.
VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e Spasovskit
Por, nga VMRO–DPMNE dolën me kundër-vlerësim, andaj kërkuan dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski.
“Porositë që dërgohen janë frikësuese me paralajmërim se të gjithë do të hidhen në erë, ndërkohë MPB ende nuk ka informacione konkrete se kush kërcënohet. Absurde janë deklarimet e Spasovskit se gjendja e sigurisë është stabile përderisa ende nuk ka zbardhje të situatës. Gjëja më e vogël që mund të bëj Spasovski është të dorëhiqet. Siguria e qytetarëve duhet të vihet në rend të parë.”,- thuhet në reagimin e VMRO–DPMNE–së.
Me alarme të rreme për bombë së fundmi është përballur edhe Mali i Zi, Serbia, Zelanda e Re, Kanadaja, ShBA-të dhe Gjermania. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, kërcënimet janë shtuar pas luftës në Ukrainë. (Meral Ismaili, TVM2)
